Ngjarja që i besuam një shekull, po del të jetë ndryshe
Shumëkush prej nesh është rritur me këngën e Rexhës dhe sa herë e ka dëgjuar këtë këngë të Qamilit të Vogël, ka ndjerë edhe dhembje për atë ngjarje që besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në grazhd të kalit.
Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali, madje shpeshherë edhe është ironizuar me rastin, duke thënë se Rexhën e ka mbytur pela. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që kemi besuar të gjithë ne.
Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.
Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dy vjeç.
Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën.
Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit.
Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipë në kokë një mërzi e madhe, nga se e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai.
Kjo vesvese e shtyri atë që ta vras Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e qon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit.
Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend.
Dasmorëve nuk u kishte shkuar mendja se këtë krim mizor mund ta ketë bërë xhaxhai i Rexhës.
Ata i besuan fjalëve të axhës së Rexhës. Demir Krasniqi, thotë se ngjarjen e kishte dëgjuar nga Qamili i Vogël.
Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte axha i Rexhës.
Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte axha i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada.
Sipas Krasniqit, këtë këngë, e kishte sjellë në Gjakovë familja e këngëtarit Qamili i Vogël, që ishin shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës.
Qamil Muhaxheri ishte i pari që e këndoi këtë këngë në Radio-Prishtinë.
Kënga është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare, ku këndohet edhe në ditët e sotme, por është e ndërtuar mbi një rrëfim të pavërtetë, duke krijuar edhe versione që shkojnë deri në banalitet.
Krasniqi e ka përpunuar dhe përshtatur për këngë origjinalin e kësaj ngjarje dhe për herë të parë e ka incizuar në audio kasetë më 25 korrik 2012.
Ai pretendon se kjo është e vërteta e vdekjes së Rexhës dhe ky version nuk është kundërshtuar ende nga rapsodët dhe muzikologët.
Kënga flet për dëbimin e shqiptarëve nga Jabllanica e Toplica.
Kriminelet serbë, mbi tetëqind katunde të shkreta i kishin përzënë nga trojet e veta.
Vuajtjet e muahaxherisë përbëjnë faqet më të dhembshme të historisë shqiptare.
Në fshatin Stubëll të Medvegjës ka jetuar edhe familja e Rexhës, të cilit i këndohet kënga prej kaq vitesh, jo për dëbimin nga vendlindja, por për tragjedinë që i ndodhi ditën e martesës.
Rexha ishte rritur jetim, vetëm me nënën. Babai i kishte vdekur herët, duke e lënë në djep djalin e vetëm. Nëna e Rexhës nuk pati zgjidhje tjetër dhe u kthye nuse për kunat.
Zakonet e atëhershme e kërkonin që djali të mos lihej pa nënë. Martesës i ishte gëzuar edhe axha i Rexhës, sepse në këtë mënyrë do të trashëgonte hisen e vëllait.
Por, kur Rexha u rrit dhe u bë për martesë, ai ndryshoi mendjen. Nga frika se Rexha do të ndahej prej tij dhe do t`ia merrte edhe hisen, ai bëri planin për ta vrarë nipin dhe kështu edhe veproi, duke e fshehur krimin pas thundrave të kalit.
E vërteta mbi këtë ngjarje mbeti pezull mbi një shekull. “Për këtë ngjarje të vërtetë, ka tregua nëna e vet, e cila ka thënë se Rexhën e vrau mixha i vet”, thotë Krasniqi, duke iu referuar versionit origjinal të ngjarjes, që ai thotë t`ia ketë treguar Qamili i Vogël, vite më herët./mediafokus.info

