Ngjela lavdëron Kurtin e Osmanin: Shqiptarizmi dje korri një fitore të madhe në Kosovë

Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, njëherësh njohës i mirë i skenës politike jo vetëm shqiptare, e ka mirëpritur zgjedhjen e Kurtit dhe të Osmanit, në krye të dy institucioneve të Kosovës.

Ngjela e ka qujatur këtë një fitore të madhe të shqiptarizimit.

Ky është komenti i i plotë i avokatit Ngjela, i postuar në profilin e tij:

Personaliteti i dy politikanëve shqiptarë të spikatur në moralitet, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, si dhe aftësia e tyre politike, e mundi përfundimisht reaksionin e Beogradit në Prishtinë.

Me disa ministra në qeverinë Kurti, pa kryeministrin dhe kryetarin e Kkuvendit, asgjë nuk bën dot Beogradi.

Shqiptarizmi dje korri një fitore të madhe në Kosovë.

Kurti dhe Osmani janë pasardhësit e mëdhenj të doktrinës kastriotiane.

Koha e Arbërisë së re, pas njëqind vjetësh, po troket realisht në derën e shqiptarëve.

Albin Kurti duhet menjëherë të fillojë reformën antikorrupsion.

Korrupsioni i Prishtinës sot është me Beogradin.

Kurse politika amerikane duhet të implementojë në Kosovë legjislacionin antikorrupsion si në Tiranë.

Albin Kurti, kryeministër, i ka trembur kryeministrat e korruptuar të Tiranës.

Ndërsa Rama mendon ta marrë vetë në dorë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Domethënë, po i var ujkut mëlçitë në qafë.

Në aktin e tij normativ, nuk e ka vendosur shpronësimin e korrupsionit.

Dhe kuptohet pse, kërkon të shpëtojë klientelën e vet të mafies së ndërtimit.

Këto duhet të jenë prioritet e qeverisë Kurti:

Neutralizimi i njerëzve të Beogradit në Prishtinë;

Kooperimi për investimet amerikane në Kosovë dhe në Shqipëri;

Mosbesimi ndaj qeverisë Rama në Tiranë si qeveri që luan kundër interesit kombëtar, deri në rrëzimin e Edi Ramës;

Krijimi i doktrinës politike dhe juridike për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën;

Krijimi i doktrinës politike dhe juridike me shtetin e Maqedonisë së Veriut, për të fituar statusin shtetformues të shqiptarëve në atë shtet;

Krijimi i doktrinës politike dhe juridike për të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi, dhe në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor./Mediafokus/