“Marrëveshje e fshehtë me Listën Serbe”: Pas Duda Balje, reagon edhe Emilija Rexhepi

Pas Duda Balje, një reagim lidhur me një “marrëveshje të fshehtë” ndërmjet koalicionit “Vakat” dhe “Listës Serbe”, ka ardhur edhe nga Emilija Rexhepi.

Balje, përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se ‘Vakat’ përmes marrëveshjes së fshehur [me Listën Serbe] ka marrë afër 1,000 vota në mjediset serbe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Ndërsa reagimi i presidentes së Partisë së Re Demokratike nga Prizreni, Emilija Rexhepi, ka ardhur gjatë një interviste për mediumin boshnjak “politicki.ba” në lidhje me këtë problem dhe situatën në Kosovë.

Siç edhe shkruan mediumi në fjalë, pas informacionit jozyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga tre vendet e garantuara boshnjake në Kuvendin e Kosovës, dy erdhën nga vendet me një popullsi të konsiderueshme të votuesve serbë.

Dhe e pyetur se sa i saktë është informacioni se Beogradi ndërhyri në zgjedhjen e deputetëve boshnjakë dhe në çfarë mënyre, Rexhepi ka thënë: “Me ndikim të drejtpërdrejtë të Listës Serbe, përmes Adriana Hoxhiq, e cila ka qenë në marrëveshje me ta për 20 vjet me presidentin e koalicionit Vakat, Rasim Demiri,…”, transmeton telegrafi.

“Plani i tyre ishte të fitonin të tre vendet tona dhe kjo mund të shihet me votat që ata morën në të gjitha komunat serbe në Kosovë”, ka thënë ndër tjerash Rexhepi.