Nipi rikujton gjyshen, e cila sfidoi vetminë dhe varfërinë për dy fëmijët e saj

Shefqet Bylykbashi – Kapedani e ka rikujtuar gjyshen e tij, Hankën (1910-1991) me një fotografi nga viti 1939, të bërë në Romë, duke i bashkëngjitur tekstit edhe këtë thënie të Viktor Hygos: “Në qoftë se duam të qytetërojmë një njeri, së pari duhet filluar nga gjyshja e tij”.

Zonja e Kapitenit

Zonjën e Kapitenit, Hankën, të bijën e Ymer Ballanicës-Shtimes, e kishte vrarë rëndë në shpirt periudha e pasluftës së Dytë Botërore me gjithë kontrollet, bastisjet e fyerjet që i bënin partizanët jugosllavë me bashkëpunëtorët komunistë shqiptarë si dhe maltretimi, torturimi e burgosja e bashkëshortit, Kapiten Shefqetit.

E ngelur me dy fëmijët e vegjël, Sadikun nëntë vjeç, dhe Fuatin tri vjeç, Zonja e Kapitenit luftonte me të gjitha forcat e trupit për ta mbajtur familjen me besim të patundur, duke mos u frikësuar për asnjë moment nga pasojat e paparashikueshme të komunistëve gjakpirës jugosllavë.

Zonja e Kapitenit, me punë të rëndë fizike, me përkushtim të madh për fëmijët, me durim të një gruaje luftëtare dhe me qëndresën e saj stoike ia doli që të kujdeset për fëmijët e saj, si një nënë e pazëvendësueshme, derisa Kapiteni u lirua nga burgu.

Një nderim të madh, për Zonjën e Kapitenit (gjyshen time); nderim që e sfidoi për shumë vite vetminë, varfërinë, izolimin, përçmimin e një sistemi totalitar; nderim i pa fund për këtë grua dhe bindjes së saj për të jetuar, për t’i rritur fëmijët e për të mos e ndërprerë trashëgiminë e Kapitenit.