Nipi vdes dy javë pas operacionit në lukth, edhe gjyshja ndërron jetë në të njëjtën ditë

Vdekja e dy anëtarëve të një familje brenda një dite, është humbje e madhe. Kjo ka ndodhur në fshatin Duraj të Kaçanikut, ku brenda të njëjtës ditë kanë ndërruar jetë gjyshja dhe nipi i saj.

Shpend Nexhmedin Zenuni, i riu nga Duraj, ka humbur jetën pas komplikimeve shëndetësore, të cilat, sipas burimeve familjare, dyshohet se lidhen me një ndërhyrje kirurgjikale në lukth, të kryer rreth dy javë më parë në Turqi, për trajtimin e mbipeshës, shkruan Sinjali.

Pas operacionit, atij dyshohet t’i jetë shfaqur një infeksion në zonën e ndërhyrjes, gjë që besohet të ketë çuar në përkeqësimin e gjendjes së tij deri në vdekje.

Dhimbja është thelluar edhe më shumë pasi, në të njëjtën ditë ka ndërruar jetë edhe gjyshja e Shpendit, Mirije Prushi-Zenuni, dy humbje të mëdha për familjen Zenuni.

Varrimi i tyre do të bëhet sot në orën 14:00, në fshatin Duraj të Kaçanikut.