Nis pastrimi i pendës së Livoqit
Penda e Livoqit ka nisur të pastrohet nga mbeturinat, derisa janë vendosur edhe konteinerët, në kuadër të projektit “Duane Liqenin Tuaj’’ të financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, përkrahur nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), të implementuar nga AZHR – Lindje, shkruan Mediafokus.info.
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, e ka falënderuar drejtorin e AZhR-lindje, Agim Zeka, për kontributin e tij karshi ngritjes së politikave të gjithmbarshme ndaj ngritjes së vetëdijes dhe vullnetarizmit qytetar për ruajtjen e ujërave dhe mjedisit.
“Për shkak të pandemisë, është angazhuar kompania Rajonale “ECO Higjiena”, për pastrim të skajshëm të liqenit. Ne, bashkë me Drejtorin, Zeka, u munduam që të japim kontributin tonë, ku së bashku, theksuam rëndësinë e mbajtjes pastër të hapësirave të këtij liqeni, si dhe, domosdoshmërinë që të rritet vetëdija qytetare karshi ndotjes. Janë vendosur kontinier dhe janë grumbulluar mbi 180 thasë me mbeturina”, ka shkruar Ismajli, në profilin e tij virtual.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë vizitorëve të këtij liqeni, që të jeni të vëmendshëm, dhe të gjitha mbeturinat t’i hudhin në kontinier, në mënyrë që bashkërisht, ta krijojmë një ambient sa më të pastër dhe rekreativ.
Mediafokus.info/

