Nisin hetimet ndaj mjekes për vdekjen e një foshnje disa ditë pas lindjes
Një mjeke e maternitetit është vënë nën hetim nga Prokuroria, pasi dyshohet se ka neglizhuar dhe nuk është kujdesur pas lindjes për foshnjen e një gruaje, që fatkeqësisht ndërroi jetë.
Mësohet se Policia nisi procedim penal në gjendje të lirë ndaj mjekes pas denoncimit që ka bërë familja e cila pësoi humbjen e rëndë. Foshnja ka ndërruar jetë në Tiranë, disa ditë pasi erdhi në jetë në maternitetin e Pogradecit.
Mjekja dyshohet se më datë 24.07.2021 ka neglizhuar në trajtimin e nevojshëm mjekësor pas lindjes, të foshnjës së shtetases D. Y., e cila më pas u transportua në Tiranë për mjekim të specializuar ku më datë 31.07.2021, ka ndërruar jetë.
Njoftimi nga Policia e Pogradecit:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasen G. Sh., 51 vjeçe, banuese në Tushemisht, Pogradec (me detyrë mjeke në maternitetin e qytetit të Pogradecit).

