Nitaj: Të vetëpunësuarit me të dhëna bankare në rregull, pranojnë nga 290 euro

Sot ka filluar ekzekutimi i pagesave për rreth 15 mijë të vetëpunësuar si pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka dhënë detaje për ekzekutimin e këtyre mjeteve në një konferencë bashkë me kryeministrin Hoti dhe ministren Bajrami.

Nitaj ka thënë se janë 23 mijë persona që përfitojnë nga pako 2.0.

“Përfituese janë 19,800 biznese (vetëpunësuar). Shuma prej 4.5 milionëve është ekzekutuar sot, ndërsa rreth 6,300 biznese (vetëpunësuar) ose nuk kanë llogari bankare ose ato nuk janë përditësuar në ATK. Këta persona të vetëpunësuar do të përftojnë nga 290 euro”, tha Nitaj, përcjell Telegrafi.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit thotë se shuma tjetër për rreth 6,300 biznese do të ekzekutohet gjatë vitit kur këto biznese rregullojnë llogaritë bankare dhe të dhënat tjera në ATK.