Një fund marsi pa pranverë

Sabit Rrustemi

(Dedikim në kujtim të Bilall Dautit, i cili ndërroi jetë para dy ditësh e me të cilin njiheshim që nga fëmijëria por dhe kishim bashkëvepruar me vite të tëra në kuadër të LDK-së dhe vizionit rugovian për liri, pavarësi e demokraci)

….

2.

Bilalli, jo që nuk u vonua por, erdhi më herët se ditëve tjera.
– Nuk kam fjetur tërë natën !
– Pse, pate ndokë të sëmurë ?
– Jo, jo, shyqyr zotit, tamam t’ më ndodhte dhe ajo. Po, tërë natën, sa makina ka shkuar Grykës përpjetë, as që kemi mundur për t’i numëruar. Dita e katërt që s’ kanë të ndalur.
Nuk i thashë asgjë.
Ashtu të heshtur, me Jugon e tij që prej nëntë muajsh, duke e lënë Zhegrën në një qetësi të frigshme, u nisëm drejt Gjilanit.
Te shkolla, pamë kokën e Momës, sekretarit të shkollës, në dritare, tek po na përcillte si rëndom, në u nisëm me kohë apo jo, si dhe Çedën, postierin, i cili doli nga objekti i postës me çantën e tij të zezë.
– Tash del nëpër katund dhe mbledh evidencën sa kemi mbetur e, sa kanë ecur.
Po, Bilalli as që më dëgjoi. Ai, ma kthehu krejt ndryshe.
– Në Shurdhan s’ka mbetur më askush. K’nej shkollës, te Tuma e Pidiqt gati, e kishin vu rampën ushtria.
Pohova me kokë, duke shtuar më pas:
– Po, edhe babgjyshi (baba i gruas) ish zdergjur mbëmë, thuaja i fundit. Po nuk e pashë se kish buajtur te Musa Plaki, miku i tij, me të cilin ishin gati të një moshe.
Te Ura e Moravës, aty ku rëndom rrinte gati për ditë një patrullë policie, skaj rrugës që shkonte për Pasjan, nuk pamë gjë.
– Paskan shkuar në front, si duket…
Nuk e besoj, ia ktheva. Po ju ka hy bukla mijve. Janë hallakatur. Dhe, presin urdhëra për t’u ripozicionuar.
Nuk shkuam kah Budrika e Poshtme, anise pas një muaj e sa, rruga ish zhbllokuar. Lakuam në të djathtë, kah Pasjani. Te pompa, aty në rrugën Gjilan – Preshevë ish përforcuar punkti policor.
Ngadalësuam shpejtësinë e veturës, duke u bërë gati për t’u ndalur. Për habinë tonë, vetëm na dhanë shenjë për të vazhduar.
– Kanë punë më serioze k’ta – i them Bilallit, i cili ish kthyer pak në vete, i çliruar nga një stres i momentit.
– Shyqyr, nuk na ndalën k’saj here!
– Po pse t’humbin kohë me neve kur jemi të përditshëm në këtë rrugë, o Bilall?
Vetëm i shkoi buza në gaz, po nuk nxori zë.
Kaluam dhe Velekincën pa patrullë policore. Në Qenar Qeshme, lakuam djathtas, kah Vorret e Qytetit, mbrapa Stacionit të Autobusve dhe, Qendrës…
– A po lakojmë te rruga e Prishtinës, a jo?
– Jo Bilall, grahi drejt…
Një kolonë ushtarake vinte nga drejtimi i Bujanocit.
Ne kthyem si shpejt në t’majtë, aty te xhamia, në drejtim të shkollave.
– A s’po i numrojmë, a?
– Leje Bilall se i ka përcjellur Katërshi (Lagjja e Nehatit) mos ke dert. A, besoj edhe Dobërçani…
Ashtu edhe doli.
Pa u bërë një orë, te Zyra e Këshillit Komunal për Kulturë, në rrugën e Tretë të “Ramiz Sadikut”, prapa shkollës “Selami Hallaçi”, na erdhi raporti i terrenit.

3.

Dhjetëra e dhjetëra autoblinda, pizgauerë, transportues të mëdhenj me tankse ngarkuar, kamionë përplot rezervistë, kishin ardhur nga Rruga e Bujanovcit dhe, qendrës së qytetit, ishin ngjitur përpjetë Kodrës së Gjilanit e në drejtim të Ferizajt. Me shkrim dhe me gojë më tregoi si Nehati, ashtu edhe Jonuzi. Pak më vonë, prej Tetëshit (Lagjja mbi spital dhe që shtrihej Rrugës së Ferizajt e pas Jugopetrollit), erdhi dhe Agimi, dyll i verdhë. I kish shënuar dhe me numra, mbi dyzet e saj automjete….
– Kolonë e gjatë, ishte. Nuk lëvizte shpejtë, më thoshte me zë të ulët. Sikur donin paraprakisht me na i shti ethet, kah i shihnim. Ata e dinin se po i shihnim. Nëpër kamionë kam parë plot rezervistë të parruar, kokën lidhur me shamia… këndonin e bënin zhurmë thua se po shkonin në dasëm.
– O, të dehur kanë qenë për zotin! Po nuk ka me ju shku gjatë, jo – përpiqesha për ta qetësuar.
– Pjesa pas “Jugopetrollit” gati janë bartur krejt kah ne, afër Spitalit e “Popovicës”. Nuk po ndihen të sigurtë, skajeve. Pak i ka kapur panika edhe pas ardhjes së shumë banorëve prej Grykës së Karadakut, se i kanë të vetët bash në këtë pjesë të qytetit, se shkova…jemi krejt në këmbë, duhet t’i strehojmë, t’ju sigurojmë ushqime.
Situatë e njejtë ish dhe kah pjesa e “Zabelit të Sahit Agës” një pjesës së Qenar Qeshmes që shtrihej kah Kodra e Velekincës po edhe ne Velekincë.
– Garnizoni ushtarak serb krijon tensione e mbjell pasiguri, më shpjegonte atë që e dija prej kohësh, Haliti, një veprimtar i rryer i terrenit.
– Më njoftuan se, një pjesë e madhe e arsenalit ushtarak, me makina, armë e njerëz kanë lëvizur Rrugës së Preshevës kah Velekinca e, thonë që janë pozicionuar në Myqybabë, vazhdonte të më tregonte Haliti, atë që para dy ditësh ma kishte thënë edhe Xhelë Ibrahimi i po këtij fshati.
– Po lëvizin Halit, lëvizin se bombardimet e NATO-s vetëm sa nuk kanë nisur. Se, shenjat po duken; prej dje, asnjë mekanizëm ndërkombëtar më nuk gjindet këtu. Janë zhvendosur në Maqedoni, si Misioni i OSBE-së, ashtu dhe Misioni amerikan. Kemi mbetur vetëm ne dhe serbët e armatosur.
– Zoti e bëftë mirë, më tha dhe doli me Bilallin për një xhiro vëzhgimi, qytetit. Mbeta në zyrë, i vetëm për ta shkruar një raport për Qendrën për Informim të Kosovës, raport të cilin do ta përshkruante dhe Ilmiu më pas që raportonte për gazetën “Bujku” (ish Rilindjen). Ende pa e përcjellë me faks për në Prishtinë, lajme edhe më shqetësuese erdhën prej Grykës së Karadakut.
– Në Dunav, Stançiq, Shurdhan e Çelik, nuk di që ka mbetur më kush prej neve. Ushtria serbe, i ka përzanë, gjup e kapuç, edhe i ka ftillu për Zhegër. S’ju ka lënë hapësirë as bukë me marrë me veti, se leje ma diçka tjetër. Kush ka mund, i ka zgjidhë kafshët, edhe i kanë lëshuar arave. Disave ju kanë mbetur të lidhura nëpër ahure, rrëfente plot trishtim Salihu.
– Po thonë që, veç ajo motra gjermane ka mbetur n’Kishë të Dunavit. Po, edhe Ymeri, baba i Agimit, ende s’ka ardhë. A ka dalë kah Presheva, a ka k’putë kodrave kah Vitia, nuk dihet. Ende s’u lajmëru kund as Ramiz mësuesi, i Muharremit të Guraxhive, për të cilin ju tregova dje.
– Po te ju n’Pidiç, a ka mbetur kush, ju drejtova.
– Aty i kam lënë do, n’i gjetsha kur të kthehem. Po, s’e di nëse mund të kthehem. Po dal njëherë kah miqtë e, ta shoh qysh po sillen punët.
Ia bashakngjita kronikës më të zezë të ditës edhe këto të dhëna dhe, i nisa përmes faxit për në Prishtinë.
Më telefonuan se i morën.
Kur u kthyen Haliti e Bilalli, unë po bëhesha gati për të shkuar në një takim te Bashkësia Islame, ku ishin thirrur të gjitha subjektet politike e jopolitike të Gjilanit, për t’u koordinuar më në fund në një front të vetëm, atë të rezistencës, deri në përfundimin e asaj që tashmë quhej luftë…

4.

Po i leja porositë e fundit për nesër, Fatushes, një veprimtare rinore e cila më parë kish punuar si mësuese në shkollën fillore “Rexhep Elmazi”. Nga vera e vitit të kaluar, ish pjesë e Shtabit për strehim dhe përkujdesje për të zhvendosurit në lagjen “Dheu i Bardhë”, prej nga e “huazuam” me detyra shtesë, edhe në nivel të Degës.
Haliti e Bilalli prisnin në këmbë, brenda zyrës, se e panë që jam duke dalur.
– Hë, sigurisht nuk keni lajme të mira?
– Na ka marrë malli për to, foli Haliti. Po, prit edhe pak….duhesh me përcjell një informatë për në Qendër.
– Veç pasi të kthehem se atje (ata e dinin që e kisha mendjen për Bashkësinë Islame, vendin ku për nëntë vite si Degë e LDK-së zhvillonim veprimtarinë tonë) veç sa nuk ka filluar takimi.
– Mos po bëhet vonë…
– Po çka ka….
– Ushtarë e paramilitarë serbë po u shpërndajnë armë të vetëve, haptazi nëpër qytet. I pamë në rrugën e Prishtinës, afër Kishës së tyre. Si seli e kishin atë ndërtesën e vjetër të rinisë. Ashiqare shpërndanin edhe në “Kamnik”, te Supi..gjithandej kah janë serbët..
Dy ditët e fundit, i kishin armatosur dhe mobilizuar serbët nëpër fshatra, të cilët edhe ashtu kishin mjaft, për ç’gjë veç kishim raportuar dhe, ajo më s’ishte risi, nuk përbënte më lajm.
Lajm do ishte, nëse armët që ua kishte dhënë edhe më herët, do ua mblidhte tash.
Po, jo …
– Halit, ata po mobilizohen tash për luftë me Bashkësinë Ndërkombëtare… po, shkruani n’letër krejt këto që i keni parë e, më pritni, këtu.
– Po vijmë edhe ne, me ty…
Nuk ua prisha. Dolëm që të katërtit, për t’u kthyer pas një ore vetëm me Bilallin.

5.

Kaluam kah Posta e Vogël, për skaj Shtëpisë së Pylltarisë, e cila prej vitesh kish vu tabelen “Serbia shume”. Te konvikti i nxënësve dhe studentëve që kryekëput shfrytëzohej vetëm për nevoja të serbëve, ku kishte të vendosur dhe refugjatë serbë nga Knini, një turmë e tyre qëndronte para hyrjes.
– Ka zhvendosje të resorëve të ndryshëm të aparatit pushtues serbë, të cilët, sipas shenjave që shihen, janë shëndrruar të tërë në Shtab të luftës kundër nesh dhe atyre që priten për t’i bombarduar, ju them sa për të dëshmuar pak gjallëri prej situatës së nder që shihnim.
– Njejtë e ke edhe te Spitali i Qytetit, veç t’i shohësh… shton Haliti, një veprimtar i besueshëm i orëve të para të demokracisë e vizionit për liri dhe pavarësi.
– Sa kompjuterat i kanë dërguar aty… mos vetë!
– Sigurisht, aty edhe do ta kenë selinë e Shtabit, meqë është Spital dhe, shkaku i të sëmurëve, nuk do jetë në shënjestrën e NATO’s, fola gati me vetveten. Zëri më doli aq i ulët sa u habita se si më kishin dëgjuar që të dy.
Te udhëkryqi i shkollave, qe, baca Ali, pronari i shtëpisë ku e kishim Zyrën prej tri vitesh.
– Dola pak se nuk m’u nejke mrena… rashë deri para hotelit e, kah Xhamia e Vogël. Tybe jo për m’u falë, po helebete mos po marrë vesh pse janë hallakatë, k’shtu, na u përgjigj në pyetjen tonë, gati të njëzëshme, “po ti”?
– U bana kishe s’po di gja, as qi nuk po interesohem për kurgja. M’panë po nuk m’thanë gja, as nuk m’nalën. Po shka mujta me ngu pej tyne kah u përzijshin para derës Supit, sonte medemek p’i mshojshin…edhe i keshën sytë si fëmijës kur g’zohet prej ndonjë dhurate që i jepet.
– Eh baca Ali, t’lumtë goja! Ti na e dhe lajmin më të mirë për sot.
Ju bë qejfi. “Qe, edhe unë ju ndihmova diçka” m’u bë se do ketë menduar me vete.
Nuk ish dhënë asnjë lajm zyrtar, prej askujt, ende, po, populli po e lexonte Lajmin e dëshiruar, ende pa u shkruar a, emituar.

6.

Në Sallën Mbledhjeve të Këshillit të Bashkësisë Islame, aty ku në këto nëntë vite kishim mbajtur qindra takime, madje edhe manifestime, ekspozita librash e tribuna shkencore, ish mbledhur i gjithë spektri politik e jopolitik i Gjilanit.
Situata e rëndë e sigurisë së përgjithshme që po kërcënonte si kurrë qenien kombëtare shqiptare, kish bërë që, më në fund të harrohen dallimet partiake, animet politike, hatrimet e grindjet e deri pak ditëve që kishin zgjatur gati një vit, sidomos mes Lëdëkëistëve, që tash përfaqësonin dy taborre.
Të pranishëm ishin dhe krerët e Bashkësisë, shoqata të ndryshme qytetarësh, ish funksionarë të dikurshëm …qytetarë kurreshtarë e të brengosur për fatin e Kosovës.
Ju gëzova këtij Tubimi kaq serioz e, kaq përfaqësues, i cili, për habinë time, nuk zgjati as dhe një orë.
Kohë e fjalamanive kish kaluar. Kërkoheshin qëndrime dhe veprime të përbashkëta, të unifikuara, pa ngjyrime politiko – partiake.
U caktuan tre veta për ta hartuar një tekst të përbashkët. Irfan Sh., Fazli A. dhe Unë.
Nuk bëmë as dhjetë minuta dhe dolëm me propozim para të pranishmëve, të cilët e miratuan pa më të voglën vërejtje.
Në rrethana më të mira, e dija se do dilte dikush sa për të hedhur shibla, aty këtu. Po, orët në vazhdim dhe ditët që priteshin, na kishin bërë tok, si asnjëherë.
Ishte një thirrje që i bëhej popullatës sonë për t’mos i braktisur shtëpitë dhe Kosovën. Po ashtu, edhe popullatës serbe ju bë thirrje për vetëpërmbajtje sepse, kjo situatë do kalonte e, çka pas saj, pastaj? Le ta mendojnë.
Unanimisht u mbështet edhe propozimi për pezullimin e të gjitha veprimtarive partiake e politike dhe, rreshtimi në Frontin e mbrojtjes së popullatës dhe, përkujdesjes ndaj saj, që t’i ruhej edhe ajo pak shpresë që i kish mbetur se, do vijnë ditë më të mira.
Dokumenti u firmos nga të parët e subjekteve politike gjilanase dhe ai tash e tutje, deri në çlirimin e vendit, ishte obligativ për të gjithë.
Të çliruar nga një ankth moskuptimesh, i cili na kish mbërthyer në dy vitet e fundit, dolëm prej takimit, me bindje se, kështu më lehtë do arrijmë aty ku e kemi cakun.
Me Bilallin nxituam kah Këshilli i Kulturës për ta përcjellur informacionin deri në Prishtinë.
Shkaku i rëndësisë së lajmit, i telefonova dhe Mehmet Hazirit, gazetar i TVP -së që raportonte në TVSH, i cili tregoi mirëkuptim, përkundër hapësirës së ngjeshur të emisionit të lajmeve, ku, natyrshëm, prioritet kishin zonat ku po luftohej.
Nuk na mbeti tjetër pos të ktheheshim për në shtëpi. Unë, në Zhegër. Ai, në Haxhaj.
– Kah po i biem, m’u drejtua Bilalli, i cili veç e kish ndezur veturën.
Nuk u hamenda fare.
– Shkojmë kah Livoçi. Se thonë, dy herë një udhe s’është mirë me i ra.
Edhe ai nuk ma prishi, anise pak e drodhi kokën.

7.

Kur arritëm te Xhadja e Zhegrës, e kthyem majtas kah Budrika e Poshtme, çka me pa: gjithë ai konvoj makinash e ushtarësh për të cilët raportuam pak më herët në Prishtinë, ish stacionuar në hyrje të fshatit. Prej Shtëpisë së Boshkit, një vozitës i dikurshëm i “Kosovatransit”, që ishte një shtëpi e re, e posangritur dhe më afër rrugës kryesore, e tutje, s’shihje tjetër pos, automjete ushtarake, dhe rezervistë serbë të uniformuar.
– E, tash?, m’u drejtua Bilalli. Sepse unë, në një mënyrë isha ai që i thashë “Kah Livoçi”. Po të kishim shkuar kah Pasjani, mbase do ta kishim më lehtë. Po, s’di, ia kisha frigën atij punktit policor, aty te Pompa e benzinës, skaj rrëgës që kthen kah Ura e Moravës.
Çka me i thënë? Mbeta…
– Grahi ngadal veturës, u bë çka u bë…zgjidhje tjetër tash s’kemi.Veç çehren, mos e prishë….
Dyll i verdhë në fytyrë, edhe ai, edhe unë. Hymë përmes konvojit ushtarak, rrugës që ndante në dysh fshatin serb…
Prit se po na ndalin, prit, prit …e, nuk na ndalën, për fat.
As folëm, as u bëmë aq kurreshtarë për t’i parë dhe aq. Kishim qëllimin si të kalonim tutje, pa ndonjë pasojë.
Mund të mendojnë se jemi prej këtu? Po, ky mendim shpejt u zbeh. E dinë ata, si nuk e dinë që s’jemi… Po t’ishim, do t’hapnim xhamat e veturës, do t’i ngrisnim tre gishtërinjtë, do t’ i përgëzonim që na erdhën në ndihmë, e… duke bluar mendime të tilla, lamë mbrapa fytyra të trishta, të parruara, me flokë të gjata e të pakrehura, uniforma të shpërthekuara, shishe rakish nëpër duar e, çmos.
Në qendër të fshatit, aty ku rëndom ndalej autobusi dhe i merrte udhëtarët për në Gjilan, për habinë tonë, e shohim Agimin e Imer Dunavit. Vetura e kuqe “Lladë” i kish rrëshqitur, sigurisht prej frige dhe, kish ra në kanal. Priste i rrethuar me nja katër-pesë serbë të fshatit.
Bilalli ia ndali gazin edhe më shumë, “Jugos”.
– E halli ?
Nuk mund të shtireshim se nuk e pamë Agimin. Sa i qeshën ata sy të trishtuar, kur na pa. E kishim kryetar aktivi në Dunav. S’mund ta kalonim.
– U bë çka u bë, ndale, Bilall!
Edhe kemi dalë prej veturës e, ju afruam Agimit.
– Hë, Agim, ç’ka ?
– Më rrëshqiti, pak.. sa nuk rash krejt në kanal. Qe, po e presim një traktor se shkoi njëri prej këtyre me marrë, e ta heqim këndej.
Qysh me pritë traktorin? Mund të vonohej apo dhe fare të mos vinte, ec e besoji. Edhe aty, para gjithë asaj turme që shihej duke pirë e duke kënduar e, duke u çirrur, s’rrihej.
– Pa, hajt ta provojmë, mos po e nxjerrim…qe, na ndihmojnë edhe k’ta kojshitë.
“Hajde, momci, da probamo”, ia nisa unë me atë serbishten çalamane.
Çuditërisht, u afruan nja tre prej tyre, edhe na tre, edhe e kapëm veturën. “Hooopaaa” e du rrotët e para në asfalt. Edhe një “hooopaaa”, se morëm zemër më shumë, e krejt vetura në asfalt.
Agimi, mbet, prej gëzimit të përzier dhe me trishtimin që ende s’e kish lëshuar, s’dinte kah t’ia mbante.
E preka në cepin e epërm të krahut të majtë.
– Pas neve nisu, Agim! S’kishim çka e zgjasim më shumë. Ec e leje nëpër atë turmë rezervistësh, s’ish punë.
Kaluam Budrikën, të lehtësuar sa s’ka! Pak edhe nën emocione, po i them Bilallit:
– Ka shpresë se do ta kalojmë dhe këtë katrahurë. Shkije, shkije, po a e pa si na ndihmuan?!
Ai, prapë e drodhi kokën: Ec e bjeru n’fije…
Kaluam Urën e Moravës. Agimi po na e bën me drita. U ndalëm.
– Unë po kthej për në Gjilan, k’nej kah Pisjani.
Nuk i ndërhymë më tej. Na e mori mendja se rrugën e ka të çelur. U përshëndetëm gati me një fjalë:
– Hajt se shihemi nesër! E, as ai, e as ne, nuk e dinim si do të na gdhijë e nesërmja …
________________

(Fragment i shkëputur nga një prozë dokumentare)