Një histori e vogël e jemja!

Elmire Nikçi Rexha

Asnjë ditë të mundit dhe punës teme për LDK-në, sado e vogël të ketë qenë, nuk ia fal’askujt për me e përbuzë.

Për LDK-në kam dhënë mund, kohë dhe përkushtim pa bërë zhurmë, pa u anku dhe pa kërku asgjë. Asnjë ditë të atij mundi nuk ia lejoj askujt me e shkelë.

Dhe kush janë ata që sot flasin më së shumti? Pikërisht ata që e shohin LDK-në veç si karrige dhe pushtet, jo si ide, jo si sakrificë, jo si rrugë që është pagu shtrenjtë.

Unë këtë rrugë nuk e kam zgjedhë për interes. E kam jetu. E kam trashëgu. E kam pagu çdo ditë, me jetën e përditshme, me frikë që s’tregohet lehtë, me sakrifica që s’harrohen dhe me një bindje të plotë që nuk është lëkund’ kurrë.

E kam bërë për një ideal që nuk blihet dhe nuk shitet. Për Presidentin Ibrahim Rugova. Për Kosovën që e kemi ëndërru ndryshe, me dinjitet dhe me paqe. Dhe për fëmijët e mi, që dua me u rritë me dashni për vendin dhe me krenari për atë që jemi, pa u përkulë kurrë për interesa.

FËMIJËRIA QË U BË PËRGJEGJËSI

Qysh në vitin 1990, kur LDK-ja i mbante mbledhjet nëpër shtëpi, njëra prej tyre ishte edhe shtëpia e gjyshit dhe axhës tim në Pejë. Unë isha vetëm 7 vjeç.

Por atëherë nuk isha vetëm fëmijë. Ishim pjesë e një kohe që na rriti para kohe.

Ne fëmijët rrinim jashtë si “roje”, dhe hynim brenda shërbenim ujë, kafe e çaj. Nuk e dinim atëherë, por po merrnim pjesë në historinë që po shkruhej me frikë dhe shpresë njëkohësisht.

AKTIVIZMI DHE RRITJA

Më pastaj, babi iu bashkua Presidentit Rugova, fillimisht QIK-ut – Qendrës për Informim të Kosovës.

Në ora 19:00 botohej “Informatori”. Si fëmijë i shkollës fillore, me qantë në krah, prej Dardanisë deri te Stadiumi (sot Muzeu i Presidentit), i ngarkoja ato fletushka dhe i shpërndaja nëpër pikat në Dardani e Ulpianë.

Për mua nuk ishte politikë. Ishte jetë.

Situata në vend u përkeqësua ndërsa njerëzit në terren më të domosdoshëm se kurrë. Babai pothuajse nuk ishte më në shtëpi, dhe në të njëjtën kohë edhe nana u përfshi në Forumin e Gruas.

Kur të rriturit luftonin për një shtet, ne fëmijët mësonim çka është përgjegjësia pa e kuptu ende peshën e saj.

LUFTA DHE PASLUFTA QË S’U KTHY NË PAQE TË THJESHTË

Erdhi lufta….! Pastaj paslufta.

Por për ne nuk ishte “pas”. Ishte vazhdim i një beteje tjetër.

Si nxënëse e vitit të parë në gjimnaz, ëndrra ime e vetme ishte me u shkollu, me dalë me shoqe dhe shokë, me jetu si çdo vajzë tjetër. Por fatkeqësisht realiteti ishte krejt ndryshe.

“Patriotët” e pasluftës më përcillnin deri në shkollë e anasjelltas. Më kërcënonin deri te dera e banesës, madje edhe me tentime frikësimi e kidnapimi.

Vetëm për me na frikësu. Dhe pse? Sepse ishim me Rugovën dhe LDK-në.

Në gjimnaz, profesori i historisë më vendosi notën 1, sepse nuk iu binda të them; “Ibrahim Rugova është sahanlëpirës.” Unë dola prej klasës me një gjë që s’ma merrte askush: krenarinë.

Sepse ka gjana që nuk ndërrohen për notë e as për frikë.

KËRCËNIMET QË U BËNË JETË E PËRDITSHME

Pastaj erdhën kërcënimet e vërteta:

plumbat në derë të banesës,
letrat kërcënuese,
telefonatat frikësuese,
fletë-thirrja për arrestimin e babit,
deri te tentimi për t’ia marrë jetën nanës.

Por as kjo nuk na ndali. Përkundrazi, na bëri më të fortë dhe më të vendosur.

Njerëzit na u larguan. Shoqëria gjithashtu. Sepse frika ishte e madhe!

Por ata pak që mbetën pranë nesh, mbetën jo prej interesi, por prej zemre — dhe pikërisht ata pak vlejnë më shumë se çdo shumicë që hesht’ prej frikës.

E gjithë kjo ndodhte vetëm për një gjë: lojalitetin ndaj Presidentit Rugova dhe LDK-së.

DJE DHE SOT

Më vonë, u inkuadrova në struktura të forumit rinor…!
Dhe…, ja ku jemi sot.

Gjatë gjithë kësaj kohe një gjë nuk ka ndryshuar: ndjenja dhe besimi.

Për të gjitha këto sakrifica, përjetime dhe trauma, nuk ia falë’ askujt të drejtën të luajë me këtë rrugë, e as ta “baltosë”.

E gjithë energjia ime është për këtë ndjenjë që e kam. E ruaj LDK-në si familjen time të ngushtë. E mbroj’ me krejt qenien time, nga brenda dhe jashtë.

Por nuk mund të hesht përballë atyre që tentojnë ta përdorin për interesa personale — sepse çdo tentim për ta deviju, dobësu apo shkatërru nga brenda dhe jashtë, vetëm e forcon vendosmërinë time për ta mbrojt’.

Unë këtë rrugë e kam ruajt’ me shpirt.
Dhe me shpirt do ta mbroj.
Jo për pushtet. ZERO interes.

Por për atë që më ka rritë, më ka formu dhe më ka mbajtë në këmbë edhe kur ka qenë më së vështiri.

Vazhdojmë✌️