Një këshillë për mërgimtarët: Nuk ka rëndësi nëse mbërrini një orë më vonë në vendlindje, me rëndësi të mbërrini të mirë

Majlinda Sulejmani

Kur vera fillon të ndezë horizontin dhe rrezet e diellit përqafojnë vendlindjen, zemrat e mërgimtarëve nisin të rrahin më fort.

Është koha për t’u kthyer në atdhe, për të përjetuar gëzimet dhe kujtimet që vetëm toka amtare mund t’i ofrojë.

Ju uroj nga zemra pushime të mbara, të qeta dhe plot kujtime të bukura me familjet dhe miqtë tuaj.

Pas lajmeve të dhimbshme për mbytjet e shumta këtë verë, shpresoj që ditët në vijim t’i shijoni me gëzim, por edhe me kujdes.

Ju lutem, mos i humbni asnjëherë nga sytë fëmijët pranë detit, liqenit apo pishinës.

Deti është i bukur, por nuk fal gabime dhe nuk jep garanci.

Mos harroni të kujdeseni edhe për të moshuarit.

Shmangni daljet në diellin përvëlues gjatë orëve më të nxehta, pini mjaftueshëm ujë dhe kujdesuni që të mos dehidratohen.

Një kujdes i veçantë edhe për personat me diabet, ata me sëmundje kronike, por edhe për të rinjtë.

Temperaturat e larta mund të shkaktojnë goditje nga dielli, dehidrim dhe probleme serioze shëndetësore.

Dhe një lutje për të gjithë ata që udhëtojnë me makinë: nuk ka rëndësi nëse mbërrini një orë më vonë në vendlindje.

Më mirë të arrini të sigurt sesa të rrezikoni jetën tuaj dhe të të tjerëve.

Shpejtësia, parakalimet e rrezikshme apo ngasja me 200 km/h nuk ia vlejnë kurrë.

Asnjë pushim nuk duhet të përfundojë duke shkatërruar jetë njerëzish.

Pushimet janë për t’u shijuar, por siguria dhe shëndeti duhet të jenë gjithmonë në vend të parë.

Ju uroj pushime të mbara dhe kthim të sigurt në shtëpitë tuaja.

Mbani mend, rruga për në shtëpi nuk është një garë, por një udhëtim i shenjtë drejt familjes dhe kujtimeve të dashura.

Udhëtoni për mirë, mos e gjeni të keqen.

Kur niset një udhëtim drejt vendlindjes, çdo kilometër i kaluar mbart një pjesë të shpirtit tuaj, një pjesë të mallit dhe dashurisë për atdheun.

Çdo ndalesë, çdo pamje e njohur është një kujtim që rikthehet, një histori që përjetohet sërish.

Prandaj, mos lejoni që ngutja të shkatërrojë këto momente të çmuara.

Jepini vetes kohën e nevojshme për të pushuar, për të shijuar rrugën dhe për të mbërritur në destinacionin tuaj me shëndet e siguri.

Rrugëtimi për në atdhe shpesh është i mbushur me mendime dhe ndjenja të përziera.

Disa mendojnë për ata që nuk janë më, për gjyshërit që i prisnin dikur në prag të shtëpisë, për miqtë e fëmijërisë që sot janë shpërndarë nëpër botë.

Por çdo kthim është gjithashtu një mundësi për të krijuar kujtime të reja, për të ndarë gëzimet dhe të qeshurat me ata që janë ende pjesë e jetës sonë.

Udhëtim të mbarë dhe të sigurt drejt atdheut tuaj të dashur!