Një muaj pas zgjedhjeve, Kosova ende pret certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve
Ka kaluar një muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, por procesi zgjedhor në Kosovë ende nuk ka përfunduar, pasi rezultatet nuk janë certifikuar për shkak të ankesave që vazhdojnë të shqyrtohen nga institucionet kompetente.
Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konsiderohet hapi i fundit i procesit zgjedhor dhe do t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit të ri, si dhe nisjes së procedurave për formimin e Qeverisë.
Në pritje të këtij momenti, subjektet politike kanë vazhduar me deklarata për skenarët e mundshëm pas certifikimit. Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur bindjen se do të sigurojë shumicën parlamentare për krijimin e ekzekutivit të ri, ndërsa partitë opozitare kanë bërë të ditur se do të presin përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor para se të vendosin për hapat e tyre politikë.
Analistët vlerësojnë se sfida kryesore nuk do të jetë vetëm certifikimi i rezultateve, por edhe sigurimi i votave të nevojshme për ndërtimin e institucioneve të reja. Formimi i Qeverisë kërkon shumicë të thjeshtë në Kuvend, ndërsa zgjedhja e presidentit do të kërkojë një konsensus më të gjerë politik.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Pas saj renditen PDK-ja me 22 mandate, LDK-ja me 18 dhe Aleanca me 7 mandate.
Vetëm pas certifikimit të rezultateve do të nisin afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja të vendit.

