Një parkim nëntokësor, një shesh i madh dhe një objekt i administratës komunale – prioritet në Gjilan
Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, nën kryesimin e Arianit Sadikut, ka miratuar planin e punës për vitin 2022, me disa plotësime si dhe vendimin për orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve.
Sa i përket orarit të fillimit të mbledhjeve, ku Kuvendi ishte i ndarë përgjysmë, ndërmjet orës 9:00 dhe orës 10:00, ngërçi u zgjidhë me votën e kryesuesit, i cili përkrahu propozimin e parë, i cili në emër të grupit të këshilltarëve të LVV erdhi nga Ismajl Kurteshi.
Në pjesën e përgjigjeve në pyetjet e këshilltarëve komunalë, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se rasti i 11 zjarrfikësve, të cilët prej më shumë se një dekadë punojnë me kontrata të përkohshme dhe në kushte të pabarabarta me të tjerët, është një problem shumë serioz, sepse mosha e tyre është problem për rekrutim të drejtpërdrejtë.
Një ndër problemet e mëdha të Komunës janë edhe paditë nga mësimdhënësit për paga jubilare, shujta dhe udhëtim, të cilat duhet të parashihen në buxhet, sepse tani nuk janë të parapara.
Kurse sa i përket borxhit të Komunës, raporti është bërë publik dhe obligimet e përgjithshme shkojnë në 25 milionë euro.
Sa i përket parkingjeve, Hyseni tha se shumë shpejt do të diskutohet me Ministrinë e Infrastrukturës për disa projekte për komunën e Gjilanit, ku hynë edhe projekti i parkimit nëntokësor, një shesh i madh i qytetit dhe një objekt i ri i administratës komunale.
Ndërkaq sa i përket orarit të punës në sektorin publik, ku dita e diel duhet të jetë pushim, Hyseni tha se rregullimi i kësaj çështje duhet të fillojë me një diskutim publik dhe pastaj të vijë në Kuvend për miratim.
Avdyl Aliu shprehu mospajtime me mënyrën e pasqyrimit të borxheve komunale, të cilat u bënë publike javën e kaluar, duke thënë se kjo nuk është bërë në mënyrë adekuate dhe se një kategori është përfshirë dy herë.
Po ashtu, Kuvendi është plotësuar me dy anëtarë të rinj, Erestina Isufi e cila ka zëvendësuar Leonora Morinën-Bunjakun, që është emëruar nënkryetare e Komunës, përkatësisht Ekrem Kryeziu që ka zëvendësuar Bajram Isufin, që është emëruar drejtor për Bujqësi.

