Një pikë e zezë në qytet…!

Ismail Arsllani

(Temë verore)

Është një pikë, një pikëtakim, një kënd, një cep…në qytetin tim të lindjes, mu në shesh, ku s’dua të kapërcej. S’është kjo shkaku i ndonjë obsesioni apo obstruksioni psikik, personal, por është shkaku i emocioneve, i kujtimeve të hidhura, i dhembjeve, i humanitetit, i skamjes e i varfërisë, i halleve e derteve tona të pafundme, të familjes, të sigurimit të korrës së bukës…

Ata që rrinë në atë pikë, në atë kënd të trotuarit, ballafaqohen me pyetjen e dhembshme të fëmijëve të tyre, kur kthehen në shtëpi: “Babë, gjete sot ndonjë punë, na solle bukë…?”

Kjo pyetje të vret, nëse je njeri. Por, njeriu është shumë i fortë, i duron edhe këto pyetje të vocërrakëve të vet, që i solli në këtë botë të padrejtë. I duron dhe qëndron përditë, ashtu stoik, në pritje, nëse dikush do t’i thërras për punë krahu, punë fizike, punë që s’e bën çdokush.

Kjo pikë e “zezë” në qytetin tim është në një cep, ku unë vazhdimisht frekuentoj. Është në këndin lindor të Postës. Aty shoh, herë dy-tre veta, herë më shumë, në të ftohtë dhe në të nxehtë përcëlluese, kërkojnë hije, por gjejnë vetëm hijen e vet në këtë tokë. Presin dhe presin, ndonjëri ka fat.

Kam parë si vrapojnë pas njeriut që i fton për punë një ditore, rrogëtari prej argati…dhe, ata pajtohen, për çdo çmim. Sa e dhimbshme është të luftosh, për çdo ditë të Zotit, në shekullin 21, për një korre buke.

Ata janë punëtorë, të vyeshëm, të sinqertë, nuk duan t’i hyjnë dikujt në hak, nuk duan të mashtrojnë, nuk duan të vjedhin, nuk duan të bëjnë punë kriminelësh. E vetmja gjë që duan, të japin djersën e tyre, për të fituar një mëditje.

Tash e kuptuat se pse nuk dua të kaloj andej? Sa herë që për punët e mia ndalem afër tyre, s’guxoj të shikoj në atë anë, se menjëherë më afrohen, duke kujtuar se kërkoj punëtor krahu.

Sa dimë ne për këtë kategori njerëzish? Fare hiç, sepse jemi në vrapin tonë të pandalshëm pas parave dhe kurrë nuk ngopemi, sado që të kemi. Sepse para nesh shohim se dikush ka më shumë dhe duam ta arrijmë atë, me çdo kusht.

Dua ta ndajë një përvojë të hershme me ju, për këtë problem. Është shumë interesante se njerëzit, tashmë, më se dyzet vjet kërkojnë punë argati, pikërisht në këtë kënd të qytetit…

Para shumë vitesh, kishte punëtorë e hallexhi edhe nga pala tjetër. Por…? Ishte një drejtor i Entit për Punësim, një trashaman, i cili çdo mëngjes kalonte këndej pari dhe, për nga pamja e veshja, i gjente njerëzit e vet: “Ti dhe ti, eja me mua!”, thoshte. I merrte me vete dhe i shpinte në Entin për Punësim. Atje u gjente punë dhe u thoshte: “Mos ju shoh më, atje!”

A kemi tash drejtor në Entin për Punësim, apo ndonjë drejtor tjetër, që do të kalonte për çdo mëngjes aty pari dhe do t’i merrte me vete këto grupe të vogla e ta lironte nga mjerimi këtë kënd të qytetit tonë? A ka edhe “pika” të tjera, këtu e gjetiu…?