Një serb zbret nga shpella pas 20 vitesh për t`u vaksinuar kundër virusit

Pothuajse prej 20 vjetësh jeton në shpellë. Serbi Panta Petroviqi zbatoi distancë sociale duke bërë një zgjedhje më ndryshe, kur u vendos në një shpellë të vogël në malet serbe për t’i shmangur njerëzit.

Vitin e kaluar, në njërën nga vizitat e tij në qytet, burri me mjekër të gjatë dëgjoi se është përhapur një pandemi. Pasi vaksinat kundër Covid-19 u bënë të qasshme, ai u vaksinua dhe u bën thirrje të gjithëve që të veprojnë njësoj.

“Ai (virusi) nuk zgjedh. Do të vijë edhe këtu, në shpellën time”, thotë plaku 70-vjeçar për agjencinë AFP në shpellën që ndodhet në malin Stara Planina, në jug të Serbisë.

Petroviqi e ka prejardhjen nga qyteza Pirot, ku kishte punuar në tregun e zi. Për një kohë, ai kishte punuar edhe jashtë shtetit. U martua disa herë në jetën e tij, të cilën e cilëson si “të vrullshme”.

Duke qenë gjithmonë i dhënë pas natyrës, ai gradualisht zbuloi se izolimi nga shoqëria i sillte liri që nuk e kishte shijuar më parë, transmeton Gazeta Express.

“Nuk isha i lirë në qytet. Gjithmonë të del dikush në rrugë, ose grindesh me bashkëshorten, ose me fqinjët, ose me policinë”, thotë Panta, përderisa qëron perime për drekë. “Këtu askush nuk më bezdis”, shton ai me një buzëqeshje, duke shfaqur dhëmbët e prishur.

I moshuari ushqehet kryesisht me kërpudha dhe peshq që i zë në një përrua të afërt, por nganjëherë zbret në qytet për të kërkuar ushqim që është lënë nga të tjerët në shporta.

“Paraja është e mallkuar, ajo i prish njerëzit. Mendoj se asgjë s’mund ta korruptojë njeriun si paraja”, tha në fund Petroviqi./Përktheu: Nasuf Abdyli