Një spital në SHBA pezullon 178 punëtorë që refuzuan vaksinën anti-COVID-19

Një spital në Teksas të Shteteve të Bashkuara ka pezulluar nga puna 178 anëtarë të stafit, të cilët refuzuan ta merrnin vaksinën kundër Covid-19 pa ndonjë arsye objektive.

Spitali “Houston Methodist Hospital” kishte njoftuar se të gjithë punëtorët duhet të vaksinohen plotësisht për të pasur të drejtë që ta vazhdojnë punën aty. Këtë kërkesë e respektuar 24.937 punëtorë. 285 të tjerë u liruan nga ky detyrim për arsye shëndetësore ose fetare, ndërsa 332 kanë të drejtë të vaksinohen më vonë për arsye tjera si shtatzënia.

Ndërkohë 178 punëtorët që refuzuan ta merrnin vaksinën për arsye tjera nga ato që u cekën më sipër janë liruar nga detyra dhe nuk do të paguhen për dy javë. Nëse ata nuk e marrin vaksinën para 21 qershorit, do të përballen me përjashtim nga puna, shkruan Independent, transmeton Express.

Drejtori ekzekutiv i spitalit raportohet se i ka dërguar njoftim tërë stafit për vendimin rreth pezullimit të punëtorëve, pavarësisht përpjekjes së disa punëtorëve përmes pankartave, në të cilat shkruhej “Jo vaksina të detyrueshme” dhe “Ndaleni tiraninë mjekësore”.

Kërkesa që punëtorët të vaksinoheshin plotësisht ishte paraqitur fillimisht në mars, por kishte nxitur reagime nga konservatorët, të cilët kishin bërë debate në medie dhe kërcënime ligjore.

Ata që e kanë kundërshtuar marrjen e vaksinës pretendojnë se ajo nuk është miratuar plotësisht ende nga Agjencia e Ushqimit dhe Ilaçeve, proces që zakonisht zgjat dy vjet.