Një tjetër kandidat i LDK-së ankohet se iu vodhën votat

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Hoti, që në zgjedhjet e fundit parlamentare garoi edhe për një mandat në Kuvend, thotë se iu tjetërsuan votat në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve.

Pasi ankesa e tij në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) është refuzuar, ai denoncimin e ka bërë edhe në Facebook.

“SKANDALET NË QNR NUK KANË TË NDALUR; Vetëm në kutinë 1815E/01R më janë tjetërsuar 44 vota, ku edhe përkundër ankesës sime që e kam bërë në PZAP, sot morra përgjigjen se ankesa më është refuzuar për shkak se gjoja nuk paskam ofruar dëshmi të mjaftueshme. E çfarë dëshmishë tjera duhet me ju ofru këtyre, Formulari i Rezultateve të Kandidatëve (shih foton) dëshmon se në këtë vendvotim kam pasur 48 vota. Ankesës i kam bashkangjitur edhe deklaratat e komisionerëve se kam pasur po këtë numër të votave në këtë kuti, ndërsa në rezultatet preliminare të KQZ më figurojnë vetëm 4 vota.Kjo është e papranueshme dhe përtej saj, KQZ po devijon vullnetin e qytetarëve, prandaj RINUMRIMI i votave është i pashmangshëm nëse duam që procesi të mbyllet fer”, ka shkruar Hoti.