Një tjetër polic arrestohet lidhur me rastin e keqtrajtimit të 18-vjeçarit

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dhe suspenduar një tjetër zyrtar policor për veprën “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se hetimi kishte filluar kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (video-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.

“Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që Inspektorati Policor kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftim.