“Njerëzit më lënduan”, Pacolli thumbon Kusarin që e kishte dikur në parti: Karma ekziston
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thumbuar shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, që vite më parë kishte qenë pjesë e partisë që ai drejton.
Pa ia përmendur emrin, Pacolli thotë se disa njerëzit e kanë lënduar dhe zhgënjyer në të kaluarën.
Bile, deputeti Pacolli shprehet se ata u përpoqën që ta mashtronin atë. Reagimi i tij pason pas publikimit të përgjimeve ndërmjet Kusarit të LVV-së dhe Sllavko Simiqit të Listës Serbe.
Aty, Kusari i ankohet Simiqit për “fryrjen e listave” të veteranëve të UÇK-së. Hedh akuza ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, teksa ofendon edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Megjithatë, Pacolli tha se nuk është shqetësuar kurrë për përpjekjet e njerëzve që ta mashtrojnë atë. Shprehet se “karma ekziston” edhe për ta.
“Gjërat nuk po shkojnë edhe aq mirë për njerëzit që në të kaluarën më lënduan, më zhgënjyen, u përpoqën të më mashtronin. Unë nuk jam shqetësuar kurrë për këtë, sepse kam qenë i bindur që nuk kam pse të hakmerrem me askënd. Karma ekziston”, shkroi Pacolli në Facebook.

