Njerëzit po jetojnë më gjatë, por të sëmurë – ku ndahet shkenca nga fantazia sa i përket jetëgjatësisë
Nëse shekulli i 21-të ka një përrallë moderne, ajo është premtimi për t’i shpëtuar plakjes dhe rënies.
Dikur e kufizuar në trillim, ajo ëndërr tani po ndiqet në laboratorë, startup-e dhe klinika private, e nxitur nga pasuria e Silicon Valley dhe optimizmi teknologjik, shkruan trtballkan.
Deri në vitin 2026, jetëgjatësia është zhvilluar nga obsesioni i miliarderëve ekscentrikë në një industri globale, gjithnjë e më e fokusuar në zgjatjen e viteve produktive të popullsisë në plakje.
Vetëm në vitin 2024, sektori tërhoqi 8,49 miliardë dollarë investime globale, një rritje prej 220 për qind nga viti i mëparshëm, sipas Raportit Vjetor të Investimeve në Jetëgjatësi për vitin 2024.
Deri në vitin 2030, tregu pritet të arrijë në 8 trilionë dollarë, sipas bankës zvicerane UBS.
Fusha ka kaluar përtej suplementeve dhe mirëqenies drejt asaj që disa kompani e quajnë “bio-sigurim”, duke ruajtur qeliza të reja për përdorim të ardhshëm rigjenerues, duke e kthyer vetë rininë në një aset spekulativ.
“Është pseudoshkencë”, tha Matt Kaeberlein, ekspert i jetëgjatësisë dhe shefi ekzekutiv i Optispan, për Anadolu, duke iu referuar shumë pretendimeve që qarkullojnë jashtë kërkimit shkencor.
Sipas Kaeberlein, problemi nuk është vetë kërkimi mbi jetëgjatësinë, por mënyra se si idetë spekulative po marketohen gjithnjë e më shumë si zgjidhje biologjike të provuara.
Gjatë 25 viteve të fundit, ai tha se shkencëtarët kanë bërë përparime të vërteta në kuptimin e mekanizmave të plakjes.
Megjithatë, ai tha se ekziston një hendek në zgjerim midis asaj që shkenca mund të mbështesë aktualisht dhe asaj që po premtohet publikisht.
“Mendoj se progresi në shumë mënyra dhe gjasat për përparime të mëdha në jetëgjatësinë njerëzore janë ekzagjeruar”, tha ai.
Ai vuri në dukje se asnjë ndërhyrje mjekësore nuk është provuar ta ngadalësojë plakjen biologjike përtej faktorëve të njohur të stilit të jetesës si dieta, ushtrimet, gjumi dhe lidhja sociale.
Hendeku midis provave dhe pretendimeve, tha ai, është më i dukshëm në industrinë e suplementeve dhe testet e “moshës biologjike” për konsumatorët, ku ofertat shpesh kalojnë nga spekulimi në atë që ai e përshkroi si “vaj gjarpri i pastër”.
“Njerëzit po flasin për të gjitha këto teste të ndryshme të moshës biologjike. Asnjëri prej tyre nuk mat moshën biologjike”, tha ai.
Dhe kur bëhet fjalë për eksperimentuesit e famshëm me veten, skepticizmi i tij bëhet edhe më i theksuar.
“Njerëz si Bryan Johnson po i përdorin ato për të justifikuar gjëra të ndryshme që ai bën, gjë që është thjesht marrëzi. Nuk është shkencërisht e vlefshme”, tha ai.
Johnson, sipërmarrësi i teknologjisë pas Project Blueprint dhe i njohur për moton e tij “Mos vdis”, ka tërhequr vëmendje të gjerë për eksperimentet e tij ekstreme kundër plakjes.
Ai ka shpenzuar miliona për suplemente, u nënshtrohet terapive të paprovuara, përfshirë infuzione plazme nga djali i tij dhe ndjek intensivisht shëndetin e tij.
Johnson ka deklaruar publikisht se përparimet në mjekësi dhe inteligjencë artificiale mund një ditë ta bëjnë vdekjen opsionale.
“Njerëzit po jetojnë më gjatë, por më të sëmurë”
Valter D. Longo, drejtor i Institutit të Jetëgjatësisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore, ndan skepticizmin ndaj rrugëve të shkurtra, por nga një perspektivë tjetër.
Për Longon, dështimi kryesor i kulturës moderne të jetëgjatësisë është fiksimi i saj me jetëgjatësinë dhe jo me shëndetgjatësinë.
“Ju tashmë jeni rezultati i tre miliardë e gjysmë viteve evolucion”, i tha Longo Anadolus. “Sa herë që futni diçka të re në trup, qoftë ADN, ilaçe apo ndërhyrje ekstreme dietike do të ketë anë pozitive dhe negative. Mundësia që ta përmirësoni ndjeshëm atë sistem pa pasoja është jashtëzakonisht e vogël”.
Italia, shpesh e cituar si model i jetëgjatësisë, ofron një shembull paralajmërues.
“Në 20 vitet e fundit, Italia fitoi katër vjet jetëgjatësi, por humbi dy vjet jetë të shëndetshme”, tha Longo. “Njerëzit po jetojnë më gjatë, por më të sëmurë”.
Midis viteve 2015 dhe 2050, përqindja e popullsisë botërore mbi 60 vjeç do të dyfishohet nga 12 për qind në 22 për qind, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Pasojat ekonomike janë të konsiderueshme.
Në Shtetet e Bashkuara, pothuajse 18 për qind e PBB-së shpenzohet për kujdes shëndetësor, pjesa më e madhe për menaxhimin e sëmundjeve kronike dhe jo për parandalimin e tyre.
“Ky sistem nuk është i qëndrueshëm”, tha Longo. “Po i mbajmë njerëzit gjallë, por po i mbajmë të sëmurë”.
Përparimi i vërtetë, argumentoi ai, qëndron në zgjatjen e viteve që njerëzit jetojnë pa sëmundje serioze.
Longo gjithashtu paralajmëroi kundër rrugëve të shkurtra të jetëgjatësisë, veçanërisht agjërimit ekstrem të popullarizuar nga kultura e mirëqenies.
“Shumica e praktikave të agjërimit janë të këqija për ju”, tha ai, duke theksuar se vetëm disa metoda tregojnë përfitime kur mbështeten nga prova rigoroze.
Mungesa e standardizimit në ushqyerje po e përkeqëson gjithashtu problemin, tha ai.
“Një dietolog mund të ketë tre vjet trajnim. Kjo nuk do të thotë se ai duhet të shpikë dieta të reja për jetëgjatësi”, tha Longo.
Paraja dhe pavdekësia
Industria në rritje e jetëgjatësisë pasqyron një frikë të thellë njerëzore nga vdekja, sipas Sheldon Solomon, profesor i psikologjisë sociale në Kolegjin Skidmore.
“Që nga lashtësia, njerëzit janë përpjekur ta shmangin vdekjen”, i tha ai Anadolus, duke shtuar se zgjatja e jetës mund ta zvogëlojë ankthin nga vdekja duke krijuar iluzionin e distancës nga vdekshmëria.
“Shpesh u them njerëzve në Shtetet e Bashkuara të shohin pjesën e pasme të një kartëmonedhe dollari, ku ka një piramidë me një sy që noton mbi të, dhe ky është një simbol i lashtë egjiptian për pavdekësinë”, tha ai.
Ajo që e dallon kohën e sotme, shtoi ai, është shkalla e parasë që ushqen garën për jetëgjatësi.
Ai tha se bumi i jetëgjatësisë është “i lidhur pazgjidhshmërisht me pabarazinë ekonomike” dhe funksionon mbi “mitin se ekziston një zgjidhje teknologjike për çdo shqetësim njerëzor.”
Në një botë ku procedurat kozmetike të shtrenjta premtojnë të ngadalësojnë ose të kthejnë shenjat e plakjes, ai tha se pasuria bëhet një mburojë psikologjike kundër vdekshmërisë.
“Ekziston një lidhje midis të pasurit para dhe të jetuarit më gjatë. Paraja vetë bëhet një formë simbolike e pavdekësisë”, theksoi ai.
Në të vërtetë, edhe në nivelet më të larta të pushtetit, dëshira për ta mposhtur plakjen dhe vdekjen është bërë temë diskutimi.
Një bisedë mes presidentit rus Vlladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, e kapur nga një mikrofon i hapur vitin e kaluar, e zbuloi këtë fascinim.
“Organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht, deri në pikën që njerëzit mund të bëhen më të rinj, ndoshta edhe të pavdekshëm”, i tha Putin Xi-së.
“Nga fundi i këtij shekulli, njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vjeç”, u përgjigj Xi.
Premtimi dhe kufijtë e shkencës së jetëgjatësisë
Së bashku me ekzagjerimin, kërkimi i besueshëm mbi jetëgjatësinë po përparon në mënyrë të qëndrueshme.
Disa barna të miratuara nga FDA-ja, përfshirë agonistët GLP-1 të zhvilluar fillimisht për diabetin dhe çrregullimet metabolike, po studiohen tani për potencialin e tyre për të ndikuar në rrugët e lidhura me plakjen.
Kaeberlein parashikon se brenda një dekade, ndërhyrja e parë e miratuar nga FDA-ja për plakjen, ndoshta fillimisht te kafshët shtëpiake, mund të bëhet realitet, megjithëse provat aktuale janë të vogla dhe të fokusuara në siguri dhe jo në efektivitet.
Një nga drejtimet më të ndjekura është riprogramimi epigjenetik i pjesshëm, që synon t’i rivendosë shënuesit qelizorë të plakjes pa fshirë identitetin e qelizës.
Kompani si Altos Labs, e mbështetur nga themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, dhe Life Biosciences po e udhëheqin këtë qasje.
Së fundmi, Life Biosciences mori miratimin nga FDA-ja për ilaçin e saj eksperimental ER-100, duke shënuar provën e parë klinike te njerëzit për një terapi të riprogramimit epigjenetik të pjesshëm.
Prova synon neuropatitë optike, përfshirë glaukomën, duke testuar nëse qelizat e syrit mund të “rinovohen” për ta rikthyer shikimin.
“Nëse kjo provë klinike ka sukses, kjo është një gjë e madhe”, tha Kaeberlein.
“Do të ishte shembulli i parë i një teknologjie rinovuese të përdorur te njerëzit që synon drejtpërdrejt biologjinë e plakjes”.
Përtej terapive qelizore, Kaeberlein sheh ndikimin më të menjëhershëm nga mjekësia e personalizuar e drejtuar nga inteligjenca artificiale.
Duke analizuar biomarkerët dhe të dhënat individuale shëndetësore, këto mjete mund t’i udhëheqin zgjedhjet e stilit të jetesës, suplementeve dhe ilaçeve për të ndihmuar në ruajtjen e shëndetit dhe ngadalësimin e plakjes.
Brenda pak vitesh, tha ai, “agjentët e shëndetgjatësisë” të fuqizuar nga IA-ja mund të ofrojnë kujdes proaktiv dhe me cilësi të lartë për jetëgjatësinë me një “kosto relativisht të ulët”.

