Pranvera e helmuar e vitit 1989

Më 21 mars 1989, ditën e pranverës, në Kosovë ndodhi helmimi masiv i rinise shkollore dhe universitare, shkruan Mediafokus.

Helmimi ishte një strategji e planifikuar nga Serbia, për t’i shkaktuar pasoja afatgjata popullit shqiptar, duke ia rrezikuar të ardhmen përmes metodave më ç’njerëzore.

Helmime pati në shumicën e komunave të Kosovës dhe preku drejtpërdrejt mbi 7420 të rinj, përkatësisht një popull të tërë.

Helmime ndodhën edhe në Gjilan, që nga Serbia konsiderohej një nga qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes.

Pikërisht në njërën nga shkollat e mesme të këtushme atë ditë po mbahej një mbledhje e Organizatës Themelore të Lidhjes Komuniste, ku kishin ardhur aktivistë nga Beogradi.

Vizita e tyre, mbase kishte si qëllim për ta përcjelle nga afër realizimin e skenarit të helmimit.

Helmimi ndodhi në shkollën pranë, saktësisht në kohën kur po mbahej mbledhja.

Çuditërisht dhe mbase jo rastësisht politikanët nga Beogradi ishin ulur pranë dritareve, prej nga kishin pamje të plotë të shkollës ku ishte hedhur helmi.

Përnjëherë i tërë qyteti doli në rrugë për të parë se ç’po ndodhte dhe për të ndihmuar në bartjen e nxënësve të helmuar drejt spitalit.

Populli po reagonte në panik. Nga nxitimi pati edhe aksidente të lehta me vetura.

Spitali ishte stërmbushur me nxënës të helmuar. Skenat ishin të tmerrshme. Dhimbje, rënkime, lot…

Ndihma mjekësore po jepeshin edhe jashtë spitalit, në rrugë.

Policë të shumtë, kryesisht civilë, mes tyre edhe ndonjë shqiptar, ishin vendosur gjithandej hapësirave të spitalit për të vëzhguar zhvillimet dhe sigurisht për t’i identifikuar mjekët dhe qytetarët që po ndihmonin të helmuarit.

Serbia e cilësoi aktrim këtë gjendje.

Shumë të rinj, sidomos femrat, janë përballur gjatë me pasojat. Disa prej tyre, ndoshta edhe tani i vuajnë pasojat e asaj pranverore të helmuar./Mediafokus.info