Njëri thumbit, tjetri patkoit: Duhet të hapen, s’duhet të hapen shkolla
Assesi të unifikohen faktorët institucionalë, politikë e civilë në Kosovë rreth hapjes ose jo të shkollave të hënën e ardhshme.
IKSHP rekomandon vazhdimin e masave, BSPK, quditërisht kërkon hapjen e shkollave, ndërkohë Këshilli i Prindërve deklarohet kundër mësimit online që do të ishte një zgjidhje kompromisi mes dy alternativave të para.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka thënë se janë kundër mbajtjes së mësimit online, duke shtuar se fëmijët duhet të jenë prezent në shkollë dhe të fillojë viti i ri shkollor nga 27 shtatori.
Ai ka deklaruar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Kosovës (IKSHPK) nuk është kompetent për të treguar se a duhet të mbyllen shkollat.
“Këshilli i Prindërve të Kosovës i ka dërguar një letër ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ku kërkojmë që fillimi me prezencë fizike të fillojë nga 27 shtatori, në ato shkolla ku mund të realizohet. Në pikat që i kemi dërguar kemi thënë se do ta bojkotojmë mësimin online, kushtet janë të favorshme për zhvillimin e mësimit në shkolla statistikat e tregojnë se sa është numri i të infektuarve të rinj dhe sa janë të mbyllur, mos të bëhet kaos që të mbyllen shkollat”, shtoi ai.
Në logjikën popullore, kjo i bie “njëri thumbit, tjetri patkoit”.

