Mirëpritet propozimi i Osmanit për lirimin e bizneseve nga qiraja edhe për 6 muaj

Nehat Osmani, këshilltar i LVV në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka popozuar lirimin e bizneseve të vogla e të mesme nga obligimet e qirasë për lokalet në pronësi komunale, si masë lehtësuese në kushtet e pandemisë kur puna e tyre është vështirësuar.

Osmani kërkoi mirëkuptimin e organeve komunale ndaj këtyre bizneseve, të paktën edhe për një periudhë 6-mujore, me shpresë se gjendja për afarizëm do të përmirësohet.

Sipas një hulumtimi, shumica e bizneseve (80%) kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar në rënien e kërkesës për shërbime, 66 % kanë shënuar mungesë të likuiditet, derisa 48% kanë deklaruar pengesa në furnizime. Pandemia ka rrezikuar më së shumti bizneset e vogla dhe vetëm 8% e tyre mendojnë se mund të përballojnë situatën e pandemisë.

Propozimi i Nehat Osmanit ka hasur në mirëkuptim të gjerë te Kuvendi Komunal dhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili tha se parimisht e mbështet atë.

Haziri premtoi se do ta angazhojë ekzekutivin për ta shikuar mundësinë për lirimin e bizneseve nga qiraja komunale, gjë që e ka bërë deri në mars të këtij viti.

Në të vërtetë, propozimi i Osmanit është përshëndetur nga bizneset, të cilat shkaku i pandemisë kanë qenë të detyruara të ulin ndjeshëm numrin e punëtorëve, ndërkohë që gjendja e tyre vetëm sa është rënduar.