Njeriu që s’iu shmang vrasjes së paralajmëruar

Sabit Rrustemi

(Shkrim i publikuar në gazeta e portale, në 5 VJETORIN e vrasjes tinzare të Udhëheqësit të Qendrës për Informim të Kosovës, Enver Malokut)

Njëmbëdhjetë Kallnori i vitit 1999 nuk shënon thjeshtë vetëm një vrasje tashmë të përditshme, në përditshmërinë e luftës në Kosovë që po merrte përmasa dramatike.

As dhe humbjen e një njeriu të rëndomtë siç ishin bërë rëndomësi humbjet e njerëzve prej plumbave dhe luftës që kërcënonte një popull të tërë dhe të pambrojtur, sidomos në prag të hyrjes në shekullin XXI, që ishte pagëzuar si Shekulli i Lirisë për Kosovën.

Njëmbëdhjetë Kallnori shënon edhe një herë dhe pikëllon, si shumë herë në historinë tonë, atdhetarët, me një fjalë shqiptarët e përkushtuar që gjakonin lirinë me çdo çmim.

Në këtë muaj vrastar, si më vrastarët apo më të mallkuarit për shqiptarët dhe veprimtarët e kauzës për çlirim e bashkim të trojeve të ndara, u godit rëndë dhe pabesisht Kosova, njerëzit e saj, si brenda dhe jashtë vendit, me mbetjen apo shuarjen e dhunshme të jetës së Enver Malokut, nga plumba kriminelësh dhe veprime të qarta antishqiptare.

U godit rëndë jo vetëm familja Maloku, po edhe Qendra për Informim e Kosovës, udhëheqës i të cilës ai ishte për vite të tëra, edhe vetë Presidenca e pambrojtur e Kosovës, ku Enveri ishte dhe njihej ndër bashkëpunëtorët më të afërt dhe më besnikë të dr. Rugovës, gjithashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku Enver Maloku ishte ndër themeluesit e saj dhe njëri nga vepruesit më të devotshëm të saj.

Mbi të gjitha dhe më së shumti u godit lëvizja për liri dhe pavarësi të Kosovës, ku ai, fund e krye, ish zëdhënësi më i përkushtuar i saj, ish vepruesi më i palodhur dhe i pandalshëm i saj dhe gazetaria shqiptare, ajo gazetari e guximit të paimagjinueshëm për kohën e rrethanat, që më së shumti i duhej dhe kish nevojë Kosova.

U godit njeriu që mendonte shqip, vepronte shqip, që gjërat i thoshte troç e shqip, njeriu që fillim e mbarim ndenji vertikal në rrugën drejt lirisë. Kjo goditje nuk ishte dhe nuk është as sot e lehtë, kur shihet, vërehet e shenjohet mungesa e Tij apo e një Njeriu përmasash si Ai.

Duke e njohur nga afër dhe duke qenë njëri nga bashkëpunëtorët e shumtë të tij, s’kam se si ta fsheh dhembjen as në Kallnorin e këtij viti (2004), po as admirimin e madh që kisha dhe kam për të, për fuqinë dhe veprimin e tij të parreshtur në drejtim të arritjes së lirisë, për guximin krijues në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, për reagimin me kohë dhe me vend për të gjitha zhvillimet në skenën vepruese e politike shqiptare, për shqiptimin troç të së vërtetës së hidhur e të rëndë për të gjitha zhvillimet e mbrapshta të skenës politike shqiptare dhe të asaj ndërkombëtare, mbi të gjitha, admirimin për demaskimin, luftimin dhe goditjen e politikës shfarosëse të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe kushtrimin e vazhdueshëm e kurrë të heshtur në gjakim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Kur e them këtë, kam një mal argumentesh e, mbi të gjitha, shkrimet e tij të përmbledhura, post- thum, në librin me titull sa simbolik e domethënës por edhe emblematik sa i përket karakterit dhe veprimtarisë së Enver Malokut, “Gjuha e stuhisë”.

Këto shkrime do duhej lexuar çdo herë, pa e harruar asnjë herë datën kur janë shkruar e thënë dhe ishin shpërndarë botës në të gjitha anët, sepse në atë kohë (vitet nëntëdhjeta të shekullit të shkuar) ishte Qendra për Informim e Kosovës, ajo që bënte një propogandë të drejtë dhe të vërtetë për Kosovën dhe për përpjekjet e saj në luftën për liri e pavarësi, pa e shmangur as shtypin e përditshëm apo revial që shtypej e dilte në Kosovë dhe rreth saj.

Mirëpo, Qendra për Inforimim e Kosovës, falë punës përkushtuese të Enver Malokut dhe ekipit që udhëhiqej prej tij, i cili s’ ndihmohej sa e kish hakun prej institucioneve të kohës, kishte depërtuar në kancelaritë e Perëndimit dhe të SHBA-ve dhe gjithkund, në qendrat e vendosjes për Kosovën.

Ky depërtim i furishëm dhe dokumentues i QIK-ut, i cili, pa dilemë, identifikohej me emrin e Enver Malokut, kishte trembur po edhe nxitur makinerinë pushtuese serbe për të bërë ç’është e mundur për mbylljen si dhe shuarjen e saj.

Përpjekja e parë dhe e dështuar për vrasjen e Enver Malokut (korrik 1998) nuk arriti të ndalte veprimin e tij atdhetar dhe ta shmangte atë nga rruga e nisur drejt gjakimit të lirisë, po as nuk i mobilizoi në masën e duhur institucionet e kohës për t’i mbrojtur njerëzit e angazhuar dhe të shenjuar për likuidim, shkaku i veprimtarisë atdhetare, sepse, si njerëzit ashtu edhe institucionet që udhëhiqeshin prej tyre ishin të shenjuara nga pushtuesi shekullor (Serbia) dhe, natyrisht, të pambrojtura.

E vetmja mbrojtje, nëse mund të thuhet mbrojtje po që s’garantonte jetë, ishte veprimi publik dhe e vërteta.

Enver Maloku, i cili nuk ishte halë vetëm në sytë e Serbisë, po edhe halë në sytë e atyre që nuk u pëlqente veprimi institucional dhe i legjitimuar nga vota e qytetarit apo që nuk mund ta bartnin dhe shpienin më tutje obligimin e marrë nga isntitucionet e Kosovës (sepse ai këto veprime jo pak i kishte në thumb të gjuhës dhe kritikës) ishte rasti më i mirë për veprimet kriminale serbe që, me një të goditur t’ i arrinin dy qëllime:

– ta qëllonin m’u në kokë informimin dhe propogandën e shqiptarëve për liri e pavarësi, dhe

– përmes një vrasjeje në pikë dite dhe para banesës së tij, përmes një skenari tejet enigmatik dhe të pazbuluar deri më sot, të thellonin hendekun e dyshimeve dhe ndarjeve mes vetë shqiptarëve, me synim të dobësimit të luftës së drejtë për çlirim nga robëria shekullore serbe.

Pavarësisht çfarë gjeneze mund të kishte dora përmes së cilës u shti në Enver Malokun, më 11 Kallnor 1999, skenari dhe realizimi i vrasjes u bë në adresë të shërbimeve sekrete serbe. E, dihet mirëfilli se, ato tek shqiptarët, të shumtën e herave kanë qëlluar përmes dorës së vetë shqipfolësve.

Duke i lexuar e përcjellur edhe në kohën kur u shkruan dhe komentuan ngjarjet e çdo dite nga Enver Maloku në “Informatorin” e QIK-ut apo në Gazetën e Mbrëmjes, siç e quanim me të drejtë, po edhe sot, pas pesë vjetësh, as lëvizja politike e shqiptarëve për liri e pavarësi, përfshirë edhe institucionet e kohës po edhe vetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pas së cilës ishte nga dalja publike e saj (dhe kjo mund të vërehet edhe në librin “Gjuha e stuhisë”) nuk kishte pse të hiqte dorë apo ta humbte një njeri çfarë realisht ishte Enver Maloku.

Megjithatë, “njeriu” enigmatik dhe shumë sinjifikativ, me “kapelë të Leninit”, mund të ishte pjesë e skenarit përçarës mes vetë shqiptarëve, të cilët edhe sot, pas pesë vjetësh, e ke vështirë t’i bindësh se kjo vrasje, si edhe disa të tjera para saj që e prekën po ashtu kokën e lëvizjes për liri e pavarësi ( kolonel Ahmet Krasniqin, Azem Hajdarin, tentim vrasjen e dr. Sabri Hamitit, përfshirë këtu, pa dyshim edhe vijën e parë të luftës në Llap, Hyzri Tallën, Ilir Durmishin dhe Afrim Maliqin), nuk ishin pjesë e hakmarrjeve për të thënat troç dhe për demaskimin e prapaskenave dhe veprimeve të mbrapshta brendashqiptare.

Vërtitja e “njeriut” me kapelë të Leninit edhe në Kosovën e pasluftës vazhdon t’i ntrashë dyshimet, sidomos tek ata që mendojnë se Serbia është shkulur nga këtu përfundimisht.

Po të lexohet me kujdes ajo që na la Enver Maloku, e kemi më lehtë t’ i kapërcejmë dyshimet brenda nesh, po edhe t’i përballojmë sfidat që na presin, pavarësisht se dikush, mjerisht edhe ndër shqiptarë, i është gëzuar dhe ka ngritur dolli për vrasjen e tij.

Mos të harrojmë, Enver Maloku ishte i pari që në një shkrim të tij me titull “Viti i luftës 1998 dhe Viti i lirisë 1999”, e tha edhe këtë: “Nga viti i luftës 1998, të shpresojmë se po kalojmë në vitin e lirisë 1999. Të gjallët le të jenë të lumtur se janë gjallë, pavarësisht prej dhimbjes, pikëllimit e trishtimit që na është ulur në sofrat, shtëpitë, vendmbanimet dhe vendin tonë. Le të gëzojnë dhe festojnë të gjallët që i pret një vit i vështirë, vit i luftës dhe i lirisë. Në këtë kuptim: Gëzuar Vitin e Ri 1999, vitin e lirisë!”

Si profet i njëmentë, Enver Maloku ishte dhe mbeti i pari që parashikoi qartë e drejtë dhe na e uroi Vitin e Lirisë, anipse pak, shumë pak ditë pas këtij urimi do t’ ia mbyllnin sytë brutalisht e pabesisht, por jo edhe kujtimin për të, jo edhe veprës që na la.

Jo njëherë, por shpeshherë, e kemi biseduar çështjen e likuidimeve tinzare që i ka bërë UDB-a serbe përmes shqiptarëve në Kosovë, e edhe përpjekjet dhe veprimet e kësaj UDB-je pas vitit 1990.

Enver Maloku, si një e një që bëjnë dy, e ka ditur se do të përfundojë me një likuidim. Por, as është trembur, as është ndalur, as është shmangur deri në frymën e fundit. Andaj, nëse dikujt mund t’i takojë epiteti i një heroi për veprim publik, po edhe për guxim publik, pa mëdyshje, i pari është Enver Maloku.

Së paku, pas vrasjes së tij nuk kemi më çka ta xhelozojmë veprën e tij në shërbim të atdheut. Duhet vetëm ta admirojmë dhe, pse jo, edhe të shërbehemi e të veprojmë me shembullin e tij.

Në takimin e parë njohës me Enver Malokun, diku në vitet ’80-ta, shekulli i shkuar, kishim biseduar gjatë për Markezin dhe veprën e tij “Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar”. Tash, pas sa vitesh të ikura, bindem se Enver Maloku as në atë kohë e as më vonë, ai nuk iu shmang paralajmërimit të vrasjes, sepse kishte një paralajmërim dhe synim më të madh: Lirinë e Kosovës.

(11 janar 2004)