Njihuni me gjyqtarin kosovar që nuk i është anuluar asnjë vendim

Sahit Krasniqi, Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, njëherësh gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj gjykate, është shembulli më i mirë i gjyqtarit profesionist. 

Gjatë karrierës së tij prej dy dekadash si gjyqtar, ka nxjerrë më qindra e mijëra vendime gjyqësore. Por, kjo nuk është ajo që e karakterizon punën e njërit prej gjyqtarëve më të vjetër të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Kur ai merr vendim, nuk ka instancë gjyqësore që e kthen pas. Të paktën kështu është dëshmuar për gjatë tetë vjetëve të fundit, ku gjyqtarit Sahit Krasniqi nuk i është kthyer asnjë lëndë e vetme në rigjykim. Ndërsa, ato lëndë që janë ndryshuar pjesërisht nga instancat më të larta gjyqësore, mund të numërohen me gishta.

Kolegët gjyqtarë, por edhe stafi administrativ, gjatë pauzave temë diskutimi kanë këtë fakt dhe jo rrallëherë me batuta ngacmojnë gjyqtarët e tjerë të Departamentit për Krime të Rënda: “si Bacit Sahit (kështu e thërrasin një pjesë e madhe e stafit të gjykatës) po i vërtetohen të gjitha aktgjykimet, madje edhe vendimet e procedurës paraprake”.

Ndryshe, Sahit Krasniqit, këto ditë i ka rënë mbi supe edhe një barrë tjetër. Ai aktualisht është Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës. Por, pavarësisht pozitës dhe peshës së përgjegjësisë, vazhdon t’i ruajë njësoj virtytet që e karakterizojnë, si urtësia, sinqeriteti e mbi të gjitha profesionalizmi.

Krasniqi, i cili në vitin 2016 mori edhe çmimin për Drejtësi, “Heroi Sali Çekaj”, nga viti 2013 e tutje ka zgjidhur afër 1.500 lëndë.

Prej tyre, mbi 530 janë lëndë penale të krimeve të rënda, ndërsa i janë vërtetuar të gjitha lëndët me ankesë nga gjykata e shkalles së dytë dhe ajo e shkalles së tretë. Pra, nuk ka asnjë aktgjykim të anuluar/rigjykim. Për më tepër, ai ka të përfunduara 33 lëndë me natyrë korrupsioni.

Biografia e gjyqtarit Sahit Krasniqi:

Sahit Krasniqi është Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës dhe gjyqtar i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Krasniqi ka diplomuar në vitin 1984 në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës. Krasniqi kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2002. Ndërsa nga viti 1985 deri në vitin 2000, ka punuar në pozita të ndryshme në KPTU – Kosova Trans në Ferizaj.

Sahit Krasniqi ka punuar gjyqtar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Ferizaj, në periudhën prej vitit 2000 deri në vitin 2004. Gjithashtu ka punuar edhe si prokurorë në periudhën prej 10.06.2004 e deri në vitin 2010 në Prokurorinë Komunale të Ferizajt.

Ndërsa në Gjykatën Komunale të Ferizajt është emëruar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm nga data 22.10.2010 ku dhe punoi deri më 31.12.2012.

Nga janari i vitit 2013 Sahit Krasniqi, u emërua gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj. Në vitin 2016 gjyqtarit Krasniqi i është ndarë çmimi për Drejtësi \”Sali Çekaj\”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e sistemit të pavarur të drejtësisë në Kosovë nga Ministria e Drejtësisë.

Krasniqi ka qenë nën kryetar i Gjykatës, nga viti 2013 deri në fund të vitit 2016. Ndërsa nga viti 2018 ushtron pozitën e nënkryetarit të gjykates.

Nga 1 janar 2021, me vendim të KGJK-së, caktohet Ushtrues i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës./Mediafokus.info/