“Nuk jam pishman që po shkoj, jetova me nder 81 vjet…”

Kanë kaluar më shumë se 17 vite që Violeta Manushi nuk është më. Edhe sot ajo është po kaq e gjallë, sa ç’ishte kur ngjitej dhe zbriste skenën.

Dhuronte emocione dhe merrte kaq shumë mirënjohje përmes duartrokitjesh dhe adhurimit.

Rruga deri në panteonin e famës ishte sa e vështirë aq dhe ngadhnjyese.

Por ëndrra di gjithnjë të të rrëfejë rrugën e përjetësisë, dhe Violeta Manushi zgjodhi atë udhë që e çoi deri atje lart nga ku nuk do të mund ta zbresë asnjë stuhi dhe shtjellë e ndryshesave dhe ngulmeve transformuese ku arti skenik ka hyrë.

Sepse ajo është kujtesë, është nostalgji, është çfarë e bën të përgjithmonshme ëndjen dhe adhurimin.

Fjalët e fundit të Violeta Manushit

Violeta Manushi i përkiste një gjenerate aktorësh, regjisorësh, skenaristësh, kameramanësh… të cilët më shumë se talenti, i transformoi në përmendore pasioni, puna me përkushtim dhe vetmohimi për atë ëndërr, të cilës ata i kishin kushtuar jetën e tyre dhe vetë arti i shpërbleu duke i bërë të përjetshëm.

“Sikurse e shihni, unë jam nisur për udhë, që nuk është e gjatë. Nuk jam pishman që po shkoj, jetova 81 vjet e kusur, për më tepër jetova me nder. Kemi qenë të varfër, por nuk kemi lypur. Kemi jetuar me punë dhe me nder, duke lënë pas emrin e mirë”.

Violeta Manushi i tha këto fjalë në orët e fundme të frymës, më 27 korrik 2007, fjalë që nuk do të ishin vetëm të fundit, por kumtim solemn i denjë për epitaf korifejsh.

Iku për të lënë rolet e saj të përjetshme

Ajo nuk ishte një shenjtore, por gjithçka e përkorë, gjithçka e virtytshme. Gjithçka ngadhnjyese dhe përkushtuese që mbushi jetën e saj ishte e bekura dhe ujdhesë e njeriut të motivuar nga mirësia.

“Teta Ollga”, artistja e madhe, me kurajën e pashembullt, me humorin që kishte brenda tragjiken, me qëndrimin e saj, e bëri shumë të lehtë takimin me vdekjen.

Ajo u shua për të lënë pas emrin që skaliti me shkronja të arta në memoarin e traditës së artit skenik shqiptar.

Iku për të lënë rolet e saj të përjetshme. Mori udhën e amshimit për të mos harruar të na gostisë vijimsisht me humorin dhe virtuozitetin skenik. /ObserverKult