Nuk ju pret karantina nëse shkoni në det, por kujdes nga virusi!

Qytetarët e Kosovës të cilët vizitojnë Shqipërinë, nuk do të detyrohen të hyjnë në karantinë prej shtatë ditësh për të parandaluar infektimin me Covid-19, shkruan Gazeta Metro.

Ditë më parë në disa media në Kosovë u raportua se të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët vizitojnë Shqipërinë do të karantinohen, gjë e cila nxiti reagime dhe menjëherë qyyetarët e Kosovës anuluan biletat për Shqipëri.

Lajmi se mund të izolohen për shtatë ditë pasi të kthehen nga Shqipëria bëri që të zbehet interesimi për pushime në Shqipëri.

Në vendimin e djeshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës sa i parandalimit të COVID-19, nuk është paraparë kjo masë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës të martën ka vendosur disa masa të reja, të cilat vlejnë për shtetet që kanë marrë masa ndaj qytetarëve të Kosovës, por nuk vlejnë për Shqipërinë dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.