“Nuk kemi gjak për të shkelur” – PDK dhe Aleanca i bëjnë thirrje Kurtit të zhbllokojë institucionet
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar sërish që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të vijë në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e institucioneve të reja, në kuadër të protestës që PDK-ja po zhvillon para objektit të Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Deputetët opozitarë kanë thënë se Kosova nuk ka më kohë për të humbur, ndërsa kanë akuzuar Kurtin se po shmanget nga përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve.
Ndërkaq, asamblisti i PDK-së nga Komuna e Shtimes, Demokrat Mujota, tha se institucionet e Kosovës janë ndërtuar përmes sakrificës së qytetarëve dhe se, sipas tij, ato nuk duhet të bllokohen.
“Me i tregu Albin Kurtit që nuk e ka mirë, nuk e ka pasë mirë, nuk e ka mirë edhe nuk është tu shku puna mirë, për atë çka kemi qenë, jemi edhe për atë ku mendojmë të shkojmë nesër. Albini duhet me e ditë që ky popull ka sakrifiku shumë. Ky popull ka dhënë gjak shumë. Ky popull ka dhënë shumë jetë, për me pasë pavarësi, për me pasë liri, për me pasë drejta, për me pasë shtet, për me pasë institucione, me pasë rend, ligj, drejtë. Nuk bëhet hajgarë me institucionet e vendit që kemi ndërtuar me shumë gjak, me shumë mund edhe me shumë sakrificë. Albin, nuk kemi gjak për me shkelë, as nuk kemi Republikë për me humbë. Duhet me ditë ti edhe komplet soji yt”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e akuzoi Kurtin se po shmanget nga përgjegjësia, duke e lidhur këtë me qëndrimet e tij politike ndër vite.
“Sot Albin Kurti, ashtu siç e ka edhe traditë edhe në doktrinën e tij politike, sërish po fshihet, sërish iku përmes rrugëve ilegale, klandestine, duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë. Dhe fshehja sa është doktrinë e tij politike, Albin Kurti është fshehë në Rambuje, kur ne theksuam nënshkrimin e Lirisë sonë, Albin Kurti është fshehë në Vjenë kur ne e negocionim pavarësinë tonë, Albin Kurti është fshehë, në ditën kur flamuri jonë u prezantua në Kuvendin e Republikës, Albin Kurti u fsheh në ditën e shpalljes së pavarësisë, u fsheh në ditën kur Kosova e intonoi hymnin e tij, u fsheh në ditën e ushtrisë, pra i shkoi jeta tu u fshehë nga përgjegjësia që ka edhe me Kushtetutë edhe me ligj”, tha ai.
Kurse, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, tha se deputetët kanë votat për konstituimin e Kuvendit dhe kërkoi që Kurti të shkojë në sallën e Kuvendit.
“Sot jemi këtu prapë para Qeverisë, për ta thirrë zotin Albin Kurti, të vijë t’i bëjë institucionet. Ne e dimë që është brenda. Ne e pamë që prapë, po i kemi votat për konstituimin e Kuvendit, atëherë i bëjmë thirrje edhe një herë të vijë, ta bëjë konstituimin dhe pastaj të vazhdojë për zgjedhjen e presidentit. Nuk kemi kohë. Kosova ka humb shumë kohë, që dy vite jemi pa institucione, kështu që është momenti i duhur të vijë në Kuvend e të krijojë institucionet. E dimë që mbrojtja e Kushtetutës, jemi këtu për ta mbrojtur Kushtetutën dhe gjithashtu do të vazhdojmë ta mbrojmë Kushtetutën dhe asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të krijohen institucionet”, tha ajo.

