Numër i jashtëzakonshëm i mantelbardhëve të infektuar me COVID-19 në Spitalin e Gjilanit

Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit infeksioni me COVID-19 i ka prekur rëndë edhe mantelbardhët, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Drejtori klinik i këtij Spitali, Dr. Ukshin Ismaili, në një deklaratë për Mediafokus.info, ka thënë se aktualisht numri total i të prekurve aty është 88.

“Prej tyre, 23 janë mjekë, 53 infermierë dhe 12 janë nga stafi ndihmës”, ka deklaruar Ismaili për Mediafokus.info.

Por, fatmirësisht, sipas tij, gjendja e tyre është stabile.

Numri i përgjithshëm i testimeve gjatë tetë muajve të pandemisë në Gjilan është fiks 5700, 1717 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, 1272 janë shëruar, 58 pacientë e kanë humbur betejën me COVID-19, ndërkaq raste aktive aktualisht janë 387.

Ndryshe, me vendim të Qeverisë Hoti, nga e premtja kjo komunë është futur në mesin e gjashtë komunave në zonën e kuqe – rrezik i lartë dhe pas orës 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik, vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, por edhe do të ketë orë policore, sikur që ndalohen hyrje-daljet deri në ora 05:00./Mediafokus.info/