Nura kërkon largimin e dy anëtarëve të PDK-së në KQZ: Akuzon partinë për përfaqësim të dobët
Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të 9 nëntorit, kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, është shprehur i pakënaqur me përfaqësimin që i është bërë Partisë Demokratike të Kosovës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Nura, ka kërkuar nga kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, që t’i lirojë nga detyra dy anëtarët e kësaj partie në KQZ, Arianit Elshanin dhe Iliri Gashin, dhe t’i zëvendësojë ata me përfaqësues të tjerë me ‘’integritet të lartë profesional e politik’’.
“Për keqardhje dhe kundërshtim” me interesat e PDK-së ka vlerësuar sjelljen e Elshanit dhe Gashit ai.
Postimi i plotë:
Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) përfaqësojnë Partinë Demokratike të Kosovës në tërësi.
Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të shumë anëtarëve tanë në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe të integritetit zgjedhor, vlerësojmë se sjellja e dy përfaqësuesve aktualë të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë.
Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja.
Për këto arsye, kërkojmë nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës që të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për t’i liruar nga detyra këta dy anëtarë të KQZ-së dhe për t’i zëvendësuar me përfaqësues të tjerë me integritet të lartë profesional e politik, të cilët do të mbrojnë me dinjitet interesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

