“O Amë, o Amë” – vepër poetike monumentale
Ramadan MEHMETI
(Përsiatje mbi vëllimin poetik “O Amë, o Amë” Prend Buzhalës)
Libri poetik “O Amë, o Amë” (1982–1995) i Prend Buzhalës përbën një nga veprat më komplekse dhe më të ngarkuara kuptimisht të poezisë shqipe bashkëkohore.
Ky vëllim nuk është një përmbledhje poezish në kuptimin tradicional, por një strukturë poetike e tipit poemë–libër, si sistem poetik, ku ligjërimi zhvillohet si një rrëfim i vazhdueshëm, recitativ dhe liturgjik.
Që në përcaktimin autorial “Poezi që mund të lexohen si poemë recitative ose recitative shqiptare që mund të lexohen si poezi”, vepra shpall synimin për t’i kapërcyer format klasike dhe për ta shndërruar poezinë në akt dëshmie, kujtese dhe ndërgjegjeje historike.
Amësia si arketip jetësor, kombëtar
dhe metafizik
Libri “O Amë, o Amë” është ndërtuar mbi një temë kryesore: Amën si figurë të arketipit universal. Ama është një figurë, e cila shndërrohet në pikën kryesore kuptimore, emocionale dhe etike në të gjithë librin.
Strukturimi i librit përmes një kyrefigure të tillë, dëshmon funksionimin e brendshëm të kësaj vepre monumentale. Figura e Amës në librin “O Amë, o Amë” është shumëdimensionale.
Ajo nuk mbetet në rrafshin e nënës biologjike, por zgjerohet në një arketip universal, ku përfshihen Nëna-Jetë, Nëna-Tokë, Nëna-Atdhe, Nëna-Gjuhë dhe Nëna-Kujtesë. Amë është burimi i gjithçkaje dhe njëkohësisht dëshmitarja e të gjitha plagëve historike.
Poeti i drejtohet Amës si instancë mbrojtëse dhe e ringjalljes.: Po na ringjall pas një jetëthyerjeje, Amë e Jetës, Amë e Vatrës së Ngrohtë.
Këtu kjo Amë shfaqet si fuqi shpirtërore që e nxjerr njeriun nga rrënimi dhe nga gjendja e thyerjes ekzistenciale.
Ajo është vatra ku rikthehet njeriu i përndjekur, i burgosur dhe i përjashtuar nga historia. Në një tjetër shkëputje vargjesh, kjo Amë merr përmasa kolektive dhe historike:
Amë e Klithmës së Jetës që trand shtëpinë
dhe ther plagë gjiri
Klithma e Amës është klithmë e jetës së nëpërkëmbur, e popullit të shtypur dhe e njeriut të poshtëruar. Ajo nuk është thjesht vaj, por akt ndërgjegjësimi dhe proteste morale.
Në vetvete, kjo figurë ka në përbërjen e vet nënën tokë, amësinë, nënë si burim jete e dhembshurie, nënën e vuajtjeve dhe të qëndresës.
Nëpër vargje poeti e shpërndërron këtë figurë për nënën metafizike, që ndërmjetëson mes jetës dhe vdekjes, robërisë dhe lirisë.
Meqenëse dy herë në titull përsëritet fjala Amë, ajo merr kuptimin e strehës së fundit të njeriut të përvuajtur; është ndërgjegjja morale e historisë, është vetë zëri që ligjëron atë që historia e ka heshtur dhunshëm nga forcat pushtuese ose nga qarqe të stihisë së qenies sonë.
Motivet kryesore shpalosen përmes vuajtjes individuale dhe kolektive (burgjet, torturat, ikjet, mërgimi); përmes rezistencës morale dhe shpirtërore, si dhe të ringjalljes përmes fjalës dhe kujtesës.
Kjo Amë shtrihet e klith përmes raportit jetë-vdekje-liri, ku vdekja nuk është fund, por sprovë etike.
Libri funksionon si një epos modern i vuajtjes shqiptare, por, ndryshe nga epi klasik, këtu i shprehur si ligjërim poetik, liturgjik dhe profetik.
Struktura në cikle: një poemë e gjatë
me frymë recitative
Autori vetë e përcakton librin si “Poezi që mund të lexohen si poemë recitative ose recitative shqiptare që mund të lexohen si poezi.” Karakteristikë strukturore e librit, është ndërtimi në cikle a blenë si i quan autori, ku secili cikël i shton një përmasë të re figurës së Amës.
Lexuesi e sheh se nuk kemi poezi të pavarura klasike, por njësi poetike që lidhen organikisht, duke formuar një strukturë spirale: kthehen te Ama, por secilën herë në një nivel më të thellë.
Ciklet lëvizin nga përjetimi intim te dëshmia historike dhe nga mitizimi te universalizimi filozofik.
Kjo e bën librin të lexohet si një poemë e gjatë polifonike apo si një rrëfim liturgjik të vuajtjes. Lexohet si një akt kujtese kolektive.
Figura e amës gjithnjë riformulohet nga vargu në poezi e nga poezia nëpër cikle që shtrihet, pra, në gjithë librin.
Ky vëllim poetik është i ndërtuar në cikle tematike, ku secili prej tyre e riformulon, e rishpreh dhe e rithotë figurën e Amës në një kontekst të ri kuptimor.
Kjo strukturë krijon mbresën e një udhe të gjatë poetike, ku lexuesi ecën nga një stacion kuptimor në tjetrin. Ciklet nuk janë të mbyllura në vetvete, por lidhen organikisht mes tyre.
Ato funksionojnë si kapituj të një rrëfimi të madh poetik, ku motivet e vuajtjes, robërisë, lirisë dhe shpresës rikthehen vazhdimisht, por gjithnjë të thelluara.
Kjo mënyrë ndërtimi e afron librin me strukturën e një epopeje moderne, por pa heroizëm patetik.
Heroi këtu është njeriu i thjeshtë, i vuajtur dhe i qëndresës së heshtur. Në këtë kuptim, poezia merr karakter etik dhe filozofik, më shumë sesa narrativ.
Poezitë “Estetike 1”, “Estetike 2” dhe “Estetike 3” shërbejnë si nyje përmbyllëse të cikleve.
Një element strukturor me rëndësi të veçantë në librin “O Amë, o Amë” është fakti se secili nga tri ciklet kryesore fillon me nga një poezi me titullin përkatës: “Estetike 1”, “Estetike 2” dhe “Estetike 3”. Këto poezi nuk janë të rastësishme.
Na duket sikur janë përsiatje lirike e teorike mbi artin, por ato funksionojnë si nyje poetike dhe filozofike, ku poeti ndalet për të medituar e përsiatur mbi vetë aktin krijues, mbi fjalën dhe mbi raportin e estetikës me vuajtjen dhe historinë.
Te poezia “Estetike 1”, fjala poetike trajtohet si shpëtim dhe dëshmi. Kjo poezi, e vendosur në fillim të ciklit të parë, shfaqet si reflektim mbi lindjen e fjalës nga dhimbja.
Pas një vargu poezish të pushtuara me klithma, kujtime burgjesh dhe thirrje drejtuar Amës, poeti ndalet për të pohuar se fjala poetike nuk është zbukurim, por frymëmarrje mbijetese shpirtërore.
Këtu estetika lidhet drejtpërdrejt me etikën: fjala lind nga plagët dhe merr mbi vete barrën e dëshmisë.
Në këtë poezi, arti nuk paraqitet si luks, por si domosdoshmëri ekzistenciale, si mënyra e vetme për të mos u shndërruar në heshtje ose në harresë. Kështu, cikli i parë mbyllet me vetëdijen se poezia është akt qëndrese.
Ndërsa cikli i dytë (“Estetike 2”) e bukura vështrohet si akt moral. Në përmbyllje të ciklit të dytë, “Estetike 2” e zhvendos reflektimin drejt marrëdhënies mes bukurisë dhe përgjegjësisë morale.
Pas ndeshjes me temat e robërisë, dhunës dhe mërgimit, poeti sugjeron se bukuria e vërtetë nuk mund të jetë e shkëputur nga e vërteta historike.
Këtu estetika konceptohet si bukuri e fituar me vuajtje, ndryshe nga përjetimi i saj si harmoni e lehtë formale. Fjala poetike është e bukur pikërisht sepse nuk gënjen dhe nuk e zbukuron dhimbjen, por e ndriçon atë.
Në këtë mënyrë, “Estetike 2” funksionon si një shpallje e heshtur kundër esteticizmit të zbrazët dhe artit të shkëputur nga realiteti njerëzor.
Cikli i tretë (“Estetike 3”) Fjala trajtohet poetikisht si kujtesë kolektive dhe trashëgimi shpirtërore. “Estetike 3” merr karakter përfundimtar dhe sintetizues. Pas udhëtimit të gjatë poetik, poeti e vendos fjalën përballë kohës dhe harresës.
Në këto poezi, estetika shndërrohet në akt ruajtjeje të përvojës njerëzore, të dhimbjes historike dhe të dinjitetit. Fjala mbetet si gjurmë, si dëshmi që u dorëzohet brezave të ardhshëm.
Kështu, libri mbyllet me një vetëdije të thellë se poezia nuk mbaron me autorin, por vazhdon në formën e kujtesës dhe përgjegjësisë.
Apostrofa si figurë letrare qendrore
dhe e përsëritur
“O Amë” është thirrja që strukturon gjithë librin. Figura stilistike më e rëndësishme është apostrofa, e cila shfaqet në mënyrë obsesive dhe funksionale: “O Amë e Jetës…”, “Amë e Lirisë…”, “Amë e Klithmës…”, “Amë e Bukurisë…”, “Amë e Varrprehjes…”, “Amë e Fjalës së Pathënë…” etj. Kështu deri në fund të librit. Funksionet e apostrofës janë emocionale, për arsye se e shpreh klithmën, lutjen, vajin.
Apostrofa kryen edhe funksion strukturor, mbasi çdo apostrofë hap një njësi të re tematike. Nga ana tjetër merr edhe rolin e funksionit ritual e liturgjik, ku teksti poetik merr trajtën e një psalmi modern.
Po kjo Amë e shumëzuar nëpër vargje, poezi e cikle, merr misionin e një ideologjie e etike univerale, njerëzore: Ama shndërrohet në instancë të gjykimit moral.
Pothuajse çdo njësi poetike hapet me një thirrje drejtuar Amës, duke krijuar një ligjërim të drejtpërdrejtë, emocional dhe ritual. Shembuj tipikë janë këto vargje:
“O Amë e Lirisë nuk të lë kurrë vetëm”
(…)
“Amë e Bukurisë së Një Çasti të Jetës”
Apostrofa këtu ka disa funksione thelbësore. Së pari, ajo krijon intonacion lutjeje dhe psalmi, duke e shndërruar poezinë në një akt shpirtëror.
Së dyti, ajo e strukturon tekstin, duke shërbyer si hyrje tematike për secilin cikël.
Së treti, apostrofa e përfshin lexuesin në dialog, duke e bërë dëshmitar dhe bashkëvuajtës.
Në këtë mënyrë, fjala poetike nuk rrëfen nga distanca, por thërret, lutet dhe dëshmon.
Apostrofa “O amë, o amë” nuk mbetet në rolin e një zbukurimi retorik, por bëhet boshti ligjërimor i veprës. Ajo e zhvendos poezinë nga rrëfimi drejt thirrjes dhe dëshmisë.
Akti solemn i gjuhës poetike
Gjuha poetike e Prend Buzhalës është e dendur, madje profetike dhe e thurur me një metaforikë të pasur. Simbolet janë të shumta dhe funksionale. Simbolet kryesore janë Vatra që shënjon qëndresën, familja, identiteti dhe kombi.
Këtu hyn edhe figura letrare e dritës dhe diellit, si tregues të shpresës, e të vërtetës dhe ringjalljes.
Vatra përfaqëson identitetin dhe vazhdimësinë: “Afrohu te Vatra, Ti Amë e Lirisë me plagët në ballë”. Drita dhe dielli janë shenja të shpresës dhe të së vërtetës: “Amë Dritëshpërndarëse: ndriçon shtigje drejt vetes, drejt njëri-tjetrit”.
Ndërsa prangat, burgu dhe rruga simbolizojnë robërinë dhe mërgimin: amë, që “nuk të lë kurrë vetëm, të vjen pranë edhe prapa shtatë drynave të burgut”.
Këto simbole krijojnë një rrjet kuptimor që e lidh përvojën individuale me fatin kolektiv.
Poeti përdor dhe krijon neologjizma të shumta, kompozita poetike, togfjalësha të ngarkuar semantikisht. Sintaksa shpesh është e zgjeruar, me fjali të gjata që krijojnë rrjedhë meditative dhe dramatike.
Përmenden prangat dhe burgu, si semantikë e robërisë fizike dhe shpirtërore, por ku ndenja për liri i mposht ato. Vijnë figura që shënjoj në udhëtimin si motiv të mërgimit dhe të kërkimit të vetvetes.
Nëpër poezi përjetohet figura e Zjarrit, si semantizim për vuajtjen, por edhe si domethënie e pastrimit shpirtëror dhe ringjalljes, ripërtëritjes së qenies.
Tematikë e shtrirë në gjithë vëllimin është ndërthurja e referencave historike e biblike me mitin, ku teksti poetik bashkon ngjarje reale historike (burgosje, tortura, dhunë) me referenca mitike (Prometheu, Sizifi, Athina), duke e ngritur përvojën shqiptare në rrafshin universal njerëzor; e shndërron vuajtjen konkrete në metaforë universale njerëzore:
Aq e re Flija e Prometheut
që na sjell Zjarr të Ri e zemrat peshë i çon.
“O Amë, o Amë” është një vepër poetike e qëndresës, një epikë moderne e vuajtjes dhe dinjitetit. Është një strukturë solemne e të folurit, akt solemn i gjuhës, ku poezia bëhet akt moral.
Libri nuk synon bukurinë formale tradicionale, por bukurinë etike; atë që lind nga e vërteta, nga dhembja dhe nga refuzimi i harresës.
Në këtë kuptim, Prend Buzhala e shndërron poezinë në dëshmi dhe në akt kujtese dhe hapësirë të shpëtimit shpirtëror.
Kështu, historia konkrete e represionit, burgjeve dhe dhunës politike merr përmasa mitike dhe filozofike.
Poezia nuk dokumenton thjesht ngjarje, por i shndërron ato në kujtesë kolektive dhe mësim etik.
“O Amë, o Amë” është një vepër poetike monumentale, ku fjala shndërrohet në dëshmi, lutje dhe akt qëndrese.
Figura e Amës e mban të bashkuar gjithë strukturën e librit dhe i jep asaj një thellësi të rrallë simbolike dhe filozofike.
Në këtë kuptim, libri mbetet një nga tekstet më përfaqësuese të poezisë shqipe të fund-shekullit XX të atyre moteve të vështira, ku arti dhe etika bashkohen në një ligjërim të vetëm.

