OBSH: Gjysma e Europës do të infektohet me Omicron

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka parashikuar se brenda 6-8 javë më shumë se gjysma e Europës do të infektohet me Omicron.

Më shumë se 7 milionë raste të llojit të ri COVID-19 Omicron janë raportuar në Evropë në javën e parë të vitit 2022, tha të martën Drejtori i Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge.

Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se më shumë se një për qind e popullsisë së tyre infektohet me COVID-19 çdo javë dhe kjo mund të ushtrojë një presion të madh mbi sistemet shëndetësore të vendeve evropiane, tha ai.

Kluge theksoi se 50 nga 53 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë raportuar raste infektimi me Omicron. Ky variant po bëhet me shpejtësi virusi dominues në Evropën Perëndimore dhe tani po përhapet në Ballkan, shtoi ai.

Kluge u kërkoi vendeve që t’u japin përparësi vaksinimeve përforcuese për grupet e riskuara të shoqërisë duke përfshirë punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit.

Instituti i Matjeve dhe Vlerësimit Shëndetësor (IHME) parashikon se mbi 50 për qind e popullsisë së rajonit do të infektohet me Omicron në 6-8 javët e ardhshme.

Kluge u shpreh i shqetësuar që ky variant i koronavirusit po lëviz drejt lindjes, ku  nivelet e vaksinimit janë më të ulëta dhe pasojat mund të jenë më të rënda.