OBSH me këshilla për trajtimin në shtëpi të pacientëve me COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka nxjerrë disa këshilla të reja për trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid-19, përfshirë ata që vazhdojnë të shfaqin simptoma pas shërimit, raporton Reuters.

“Këshilla e re në azhurnimin e sotëm është që njerëzit që kanë Covid-19 dhe po trajtohen në shtëpi duhet të monitorojnë vazhdimisht nivelet e oksigjenit për të parë nëse gjendja e tyre po përmirësohet ose nëse kanë nevojë për t’u trajtuar në spital,” tha një zëdhënëse e OBSH-së, Margaret Harris.

OBSH gjithashtu ka njoftuar se rekomandon përdorimin e barnave në doza të vogla, kundër mpiksjeve të gjakut.

Margareth Harris, konfirmoi në konferencën për shtyp në Gjenevë, se ekipi i ekspertëve nga OBSH i vendosur aktualisht në qytetin kinez të Wuhan për të zbuluar origjinën e virusit, duhet të largohen nga qendra e karantinës për të vazhduar punën e tyre.

Harris ka refuzuar të komentojë mbi raportet e vonesave të vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Ajo theksoi se nuk ka të dhëna konkrete, ku përparësia e OBSH-së mbeten punëtorët shëndetësorë në të gjitha vendet dhe shpreson që në 100 ditët e para të këtij viti të vaksinohen.