OBSH: Trend shqetësues i infeksioneve në Ballkan dhe Evropë Jugore

Drejtori i progamit për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Mike Ryan, ka thënë se në Evropën Jugore dhe në Ballkan ka trend shqetësues të rasteve të koronavirusit.

“Qartazi, Amerika është dukshëm ende vatra kryesore e përhapjes, Amerika Veriore, Qendrore dhe Jugore, por sëmundja ka filluar të përshpejtohet në Afrikë”, tha Ryan për një radio irlandeze, nga vjen edhe vetë.

Ai gjithashtu shtoi: “Edhe në Evropë, përderisa në pjesën perëndimore sëmundja është vënë nën kontroll, ende i kemi disa trende shqetësuese në Evropën Jugore dhe në Ballkan, pra ende nuk kemi dalë nga mali në mjedisin evropian. Kjo kërkon syhaptësi të qëndrueshme”.

Disa vende të Ballkanit kanë shënuar rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të koronavirusit në qershor dhe korrik. Situata është mjaft shqetësuese në Kosovë, Maqedoni Veriore dhe Serbi.