“Oj nanë, më rroku plumi”, sot rivarroset trupi i 9-vjeçarit Sinan Dauti
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se nesër do të bëhet rivarrimi i Sinan Dautit, i zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ceremonia e rivarrimit do të mbahet më 18 prill 2026, nga ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj.
‘’I ka tregu ajo gruaja që në atë bodrum ka veç gra edhe fëmijë. Kriminelët serbë edhe pse e kanë ditë që në atë bodrum ka veç gra e fëmijë, ka ardh të dritarja dhe ka shti në drejtim tonin me kallashnikov. Ata pluma e kanë plagos rëndë djalin e axhës Sinanin, edhe vajzën e djalit të axhës. Sinani në momentin kur e ka rrok plumi, ka thanë ‘’oj nanë m’rroku’’, ka rrefyer familjari i Sinanit për Klan Kosova.
Postimi:
𝐍𝐞𝐬𝐞̈𝐫 𝐫𝐢𝐯𝐚𝐫𝐫𝐨𝐬𝐞𝐭 𝐒𝐢𝐧𝐚𝐧 𝐃𝐚𝐮𝐭𝐢 (𝟏𝟕.𝟎𝟔.𝟏𝟗𝟗𝟎 – 𝟏𝟒.𝟎𝟒.𝟏𝟗𝟗𝟗) 𝐢 𝐳𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮𝐫 𝐠𝐣𝐚𝐭𝐞̈ 𝐥𝐮𝐟𝐭𝐞̈𝐬
Nesër, më 18.04.2026 (e shtunë), nga ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj, do të organizohet ceremonia e rivarrimit të Sinan Dautit, i zhdukur gjatë luftës, i cili më 12 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas ndërroi jetë në Mitrovicë, si pasojë e plagëve, ndërsa gjatë këtyre viteve familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e tij.
Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Sinan Dautit, janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ceremonia e rivarrimit organizohet sipas kërkesës së familjes, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.
Me këtë rast, në këtë moment të rëndë për familjen, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dauti.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, mbeten të përkushtuara në vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur dhe për të garantuar të drejtën e familjeve për të vërtetën.

