OKB-ja alarmon për rrezikun e një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë

Një raportues special i Kombeve të Bashkuara, pas vizitave në Kosovë e Serbi, ka konstatuar se manipulimi i ngjarjeve nga e kaluara përmes rritjes së diskursit nacionalist mund ta ringjallë një konflikt të ri mes Kosovës e Serbisë. Në këtë raport, përveç mungesës së bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, është theksuar edhe mungesa e ndjekjes penale të kriminelëve të luftës.

Pas vizitave në dy shtetet, raportuesi special, Fabian Salvioli, ka vlerësuar se veç diskursit, që nuk dallon nga ai i pasluftës, ka edhe mungesë bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e informacioneve për personat e zhdukur nga lufta e fundit.

“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, shkruan në raport, raporton Koha.

“Këto pamje, të pahijshme dhe mbi të gjitha aktet e papërgjegjësisë publike mund të çojnë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”.

Këto gjetje janë nxjerrë për periudhën nga 22 nëntori deri më 2 dhjetor 2022, kur raportuesi i OKB-së ka vizituar Kosovën dhe Serbinë.

Lidhur me këtë raport pritet të diskutohet në kuadër të sesioneve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që mbahen nga 11 shtatori deri më 6 tetor të këtij viti.

Në dokumentin që është hartuar për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është kërkuar prej autoriteteve në Serbi dhe Kosovë që menjëherë të ndalojnë nxitjen e ndjenjave nacionaliste dhe përçarëse, nëpërmjet veprimeve të tyre.