“Ooo s’po ma blen kërkush do tokë, se krejt i kisha dhanë për me gjetë djalin”
Ishte viti 2001 dhe plagët e luftës ende ishin të freskëta në Kosovë. Qindra mijëra familje kishin familjarë të vrarë e qindra sosh të zhdukur. Nevoja për të ditur sa më shumë informacione për familjarët e zhdukur ishte e madhe. Dëshira për t’i gjetur ata të gjallë edhe më e madhe. Në krejt këtë hallakam dhe tragjedi njerëzore, do të lindin manipuluesit, shkruan nacionale.com.
Bekim Blakaj ishte një ndër të parët kosovarë që së bashku me Kryqin e Kuq dhe Fondin për të Drejtën Humanitare, do të nisin ideintifikimin dhe mbledhjen e informacioneve për njerëzit e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Në një bisedë me Podcast Nacionale, Blakaj ka rrëfyer një histori të një babai nga Gjakova i cili kishte rënë pre e mashtrimeve të pasluftës nga njerëz të cilët jepnin informacione të rreme për njerëzit e zhdukur.
“Ka qenë shumë vështirë që të punohet me familjarët e personave të zhdukur, sepse ata tërë kohën kanë shpresuar që i kanë gjallë familjarët, se po i mbajnë në burgje e kampe sekrete”, rrëfen Blakaj.
Por një histori nga këto, ende i ka mbetur e freskët në memorie.
“Ka pasur persona që i kanë ushqy me atë shpresë familjarët, jo pak prej tyre janë manipluar që të japin edhe të holla. Disa kanë dhënë shumë parash që të gjejnë familjarët e tyre. Një prej rasteve ka qenë një zotëri, që e kishte djalin e humbur nga Masakra në Meje, me 27 prill. Ai një ditë erdhi në zyre dhe më tregonte se si një burrë e ka bindur atë, se e ka djalin gjallë në një kazermë në Mal të Zi”, rrëfen Blakaj.
Zotëria do t’i tregonte Blakajt sesi i kishte dhënë disa herë para një personi që pretendonte se kishte lidhje me dikë në Mal të Zi, e që e dinte saktësisht se ku gjendej djali i tijj.
“Sa herë i kishte dhënë para atij malazezit, ai e mashtronte duke thënë se shumë shpejt do ta takonte, se duhet të shkonin me rroba civile, se duhej nxjerrë nga një vend sekret, e duhej një vend tjetër sekret për ta takuar, por takimi kurrë nuk kishte ndodhur”, rrëfen Blakaj.
Në vazhdën e tentimeve që Blakaj i kishte ndërmarrë për ta bindur zotërinë djali i të cilit ishte zhdukur, të mos jepte para, ai i kishte thënë diçka që do ta shokonte.
“Ooo s’po ma blen kërkush do tokë, se krejt i kisha dhanë për me gjetë djalin”, i kishte thënë zotëria, Blakajt.
Zotëria që tash sipas Blakajt është i vdekur, do të zhgënjehej shumë tek në vitin 2003, kur e kishte gjetur djalin në një varrezë masive në Bajtanicë. Për Blakajn kjo histori është tregues i madh se si kosovarët, dhe sidomos familjarët e të zhdukurve, kanë kaluar nëpër shumë faza të vuajtjes dhe dhimbjes.
Por do të kishte qenë Natasha Kandiq, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, e cila do të ndiqte penalisht gjithë procesin.
“Për këtë rast, Kandiq kishte bërë padi ndaj një qytetari malazez i cili i kishte marrë të holla zotërisë nga Meja. Është mbajtur edhe një gjyq ndaj tij dhe është dënuar falë provave të siguruara nga Kandiq. Gjykata e kishte detyruar që të kthente paratë, por ai nuk kishte pasur, kështu që ia kishin ndalur nga pensioni”, tregon Blakaj.
Por zotëria nga Meja kurrë nuk do të rimbursohej financiarisht pasi shuma që ai kishte dhënë ndaj këtyre mashtruesve ishte aq e madhe, sa s’kish pension që do t’ia kthente./Nacionale.com (foto arkiv nga Mediafokus.info)

