Orik Jashari, “Messi i Kosovës” që po magjeps Barcelonën
Në botën e futbollit, talentet e rinj shpesh shfaqen si yje në horizont, por Orik Jashari, një 7-vjeçar nga Kosova, është më shumë se kaq.
Ai është duke u bërë një fenomen. Të gjithë e thërrasin “Messi i Kosovës,” një krahasim që jo vetëm pasqyron talentin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe ëndrrën që po ndërton për t’u bërë një lojtar i njohur ndërkombëtarisht.
Zgjedhja si më i miri në kampin e Barcelonës në Kosovë
Së fundmi, Oriku mori pjesë në kampin e Barcelonës të organizuar në Prishtinë, ku konkurruan mbi 300 lojtarë nga mbarë vendi.
Pavarësisht konkurrencës së ashpër, ai u përzgjodh si një ndër tre më të mirët, duke e siguruar vendin për një javë trajnimi në shkurt në akademinë e Barcelonës, La Masia.
“Kur kam shkuar te kampi i Barcelonës në Kosovë, aty kanë qenë 300 lojtarë, e mua më kanë zgjedhur më të mirin prej tyre,” thotë Oriku, duke treguar emocionin e tij.
Pse e quajnë “Messi i Kosovës”?
Me flokë të gjatë dhe stil loje të ngjashëm me Lionel Messin, Oriku ka fituar këtë epitet nga shokët e tij dhe trajnerët.
“Mua të gjithë kur më shohin më thonë, Messi, Messi, sepse i kam flokët e gjata si Messi kur ishte i vogël,” shpjegon ai.
Por, nuk janë vetëm flokët që i japin këtë emër. Stili i tij i lojës, aftësitë e jashtëzakonshme të driblimeve, shpejtësia dhe teknika e përsosur janë cilësitë që e bëjnë të veçantë.
“Mua më thonë Messi për shkak se dribloj mirë, e kam teknikën dhe shpejtësinë si Messi,” shton Oriku./trtballkan

