OSBE me konkurs në Kosovë, kushtëzon me shtetësi serbe
Ideal Zhaveli ka refuzuar të aplikojë në konkursin e OSBE-së, pasi nuk pati mundësi të zgjedhë Kosovën si shtet ku jeton, shkruan express.
Përmes kësaj thirrjeje të OSBE-së, do të punësohet një këshilltar në zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Pozita është hapur për një institucion të shtetit, mirëpo konkursi nuk po e identifikon Kosovën si të tillë.
Njësoj, nga OSBE është hapur konkurs edhe për angazhim në Ministrinë e Kulturës në Kosovë.
Por, në asnjërin prej konkurseve, aplikantëve nuk po iu lejohet që te shteti, ta zgjedhin si opsion Kosovën. Me këtë sfidë, thotë se është përballur edhe Ideal Zhaveli, i cili hoqi dorë nga aplikimi, për këtë arsye.
Kësisoj, Zhaveli bën thirrje që qytetarët të mos aplikojnë në konkurse, ku nuk iu njihet shtetësia.
Televizioni T7, ka dërguar pyetje në adresën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, të cilët thonë që këto rregulla i vendos selia qendrore e tyre.
Misioni i OSBE-së është që të mbrojnë të drejtat e njeriut, mirëpo me një veprim të tillë, po konsiderohet që po shkelin ato.
Ndërsa Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, thotë se OSBE-ja në vazhdimësi ka pasur qasje pro serbe.
Ai propozon që të gjendet një model, që nuk i kushtëzon aplikantët në këtë formë.
Televizioni T7 ka dërguar pyetje edhe në adresën qendrore të OSBE-së, mirëpo gjatë së mërkurës nuk janë përgjigjur.