Osmani: Do t’i lëmë në pushim dallimet ideologjike me Vetëvendosjen, kemi një synim të përbashkët

Në momentin që LDK-ja e largoi nga partia, Vjosa Osmani njoftoi se do të krijonte një parti të re.

Në një intervistë për “ABC News”, Osmani ka folur për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.

“Nuk e kam përgjigjen përfundimtare për këtë temë, jemi akoma duke diskutuar, besoj se ka vullnet të dyanshëm për një vullnet të tillë, nuk mund të them tani se do të arrihet apo jo, ajo që mund ta konfirmoj është që e kemi një synim të përbashkët dhe ajo është që për momentin dallimet ideologjike t’i lëmë pak në pushim dhe të punojmë bashkë për çkapjen e shtetit. Duhet t’i bashkojmë forcat. Nëse do të arrihet përmes një koalicioni para apo pas zgjedhor, është çështje tjetër, nuk varet vetëm nga unë, por edhe pala tjetër”, tha ajo.

Por çfarë e lidh Vjosa Osmanin me Albin Kurtin?

“Është qëllimi i përbashkët që t’i zgjidhim problemet e qytetarëve tanë, të luftojmë fenomenet negative në shtetin tonë, politika e bazuar mbi parime dhe ajo që e kemi armik të përbashkët që është kapja e shtetit. Ekzistojnë edhe dallimet por ato duhet të pushojnë për momentin”, tha ndër të tjera Vjosa Osmani.