Osmani kërkon masa ndaj atyre që transmetuan një tubim partiak në faqen e Kuvendit
Transmetimi i një tubimi partiak në faqen zyrtare të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka nxitur reagimin e kryetares Vjosa Osmani, njëherësh u.d. presidente e vendit.
“Sapo jam njoftuar se uebfaqja zyrtare e Kuvendit te Republikës së Kosovës në Facebook ka transmetuar aktivitetin partiak të Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë.
Kjo përbën shkelje të autorizimeve zyrtare të personave përgjegjës që mirëmbajnë faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook.
Kam kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të ndërmerren masa urgjente ndaj kujtdo që ka keqpërdorur autorizimet zyrtare dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e institucioni të Kuvendit”, thuhet në një njoftim nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

