Kush e bëri Bill Clintonin që ta duaj kombin shqiptar?

Fjalët e Presidentit të ShBA-së, Bill Klinton se “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, tregojnë qartë se ajo e kishte shpalosur zemrën e saj arbënore edhe para personaliteteve të mëdha, duke iu folur për vendin prej nga e kishte origjinën, duke i njohur me historinë e këtij populli të lashtë e heroik, si dhe problematikën që mbartte mbi shpinë.

Kudo ku shkonte, Nënë Tereza e tregonte me krenari prejardhjen e saj. Këtë e dëshmojnë shumë nga letrat dhe shkrimet e saj. Ajo e mbante gjithnjë në zemër atdheun e saj, asnjëherë nuk qëndroi indiferente ndaj fatit dhe gjendjes së popullit shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Madje, kujdesi i saj shprehej jo vetëm nëpërmjet lutjeve të vazhdueshme në ndihmë të kombit shqiptar, por edhe duke e çuar zërin te personalitete të shumta botërore në mbështetje të popullit të saj dhe lirisë së Kosovës, si dhe demokratizimit të Shqipërisë para viteve 90 të shekullit të kaluar.