Osmani s’e dekreton Ligjin për Pagën Minimale pa vendosur Gjykata Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do ta dekretojë Ligjin për Pagën Minimale, pa vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kështu ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Kupina për Gazetën nacionale ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Osmanin se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë për këtë Ligj.

“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale.”

“Rrjedhimisht, presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese.” – ka deklaruar Kupina.

Në fillim të kësaj jave, përfaqësues të veteranëve takuan presidenten Osmani, e cila u premtoi se do të analizohet Ligji për Pagën Minimale, i cili s’e përfshin edhe këtë kategori.

“Presidentja i mori me shkrim ligjet ku duhet të zbatohet, i tham që ta luajë rolin e unitetit, sepse kjo qeveri është e interesuar që të shkaktojë përqarje, godit UÇK-në, krijo përçarje, e fitoi vota.” – deklaroi Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së, pas përfundimit të takimit.

Madje, në takim është folur edhe për përgjimet e publikuara në Nacionale,, ku u konfirmua se shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari – Lila ka komunikuar me Milan Radojiçiqin, të dyshuarin për krime.

“Do ta kundërshtojmë edhe me protestë, edhe të bllokojmë deputetët që mos të futen në atë parlament ku kanë fyer skajshmërisht veteranët e luftës, ku dolën edhe përgjimet, se i biseduam edhe përgjimet që kjo qeveri i ka bërë para një viti me ata që i kemi pasë kundërshtarë, duke biseduar me kriminel që t’i largojnë veteranët nga beneficioni.” – tha përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari.

“Ne e kemi veç të paralajmëruar me datën 26 protestën tonë, atë ditë që mbahet seanca.” – tha Klinaku në fund.

Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me veteranët kishte deklaruar se zyra e saj do ta analizojë Ligjin për Pagën Minimale dhe do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë e saj.

“Në takim me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.” – ka thënë ajo.