Osmani takohet sot me krerët partiakë për caktimin e datës së zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takojë sot krerët e partive politike parlamentare për të diskutuar lidhur me caktimin e datës të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Takimi do të nisë në orën 14:00 dhe pas tij është paralajmëruar konferencë për media nga presidentja, Vjosa Osmani.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.