“Pa dashje”, Basri Lenjani deklarohet i pafajshëm për mosraportim të pasurisë

Basri Lenjani, ish-drejtori i Emergjencës në SHSKUK, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica, i akuzuari Lenjani deklaroi se pa dashje dhe pa qëllim nuk e ka deklaruar tërë pasurinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklaroj se pa dashje, pa qëllim të caktuar, nuk kam pas informacion që përveç pagave edhe shtesat duhet mu paraqit, për më tepër këto shkresa janë të evidentuara përmes sistemit bankar”, tha i akuzuari Lenjani.

I akuzuari Lenjani tha se sa i përket biznesit të gruas së tij ka harrur që ta përfshijë në deklarim dhe se në lidhje me këtë i është përgjigjur edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sa i përket biznesit të gruas po deklaroj dhe kam kërkuar falje publike, më ka ik në deklarim, ka kërku edhe agjencisë ju kam përgjigj me shkrim në mënyrë elektronikë dhe iu kam sqaruar se kjo më ka ik edhe për shkak të pandemisë”, ka deklaruar i njëjti.

I njëjti shtoi se ka qenë i ngarkuar për shkak të pandemisë dhe se ndihet i turpëruar që gjendet para gjykatës.

“Unë ndihem edhe sot i turpëruar që gjendem para gjykatës për shkak se në atë kohë kam qenë shumë i ngarkuar dhe kam punuar 24 orë për shkak të pandemisë”, ka deklaruar i akuzuari Lenjani.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 1 qershor.

Aktakuza e përpiluar në qershor të këtij viti nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Basri Lenjanin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Aty thuhet se i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, Fatime Lenjani, me emrin “OS ORAL DENT”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asociuar .

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.