Pacolli: Në një demokraci, është e rëndësishme të pranosh rezultatin dhe të përgëzosh kundërshtarin

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se në një demokraci, është e rëndësishme të pranosh rezultatin dhe të përgëzosh kundërshtarin.

“Kur numërimi i votave po shkon drejt fundit, ne mund të konstatojmë se fituesi i zgjedhjeve është LVV. Në një demokraci, është e rëndësishme të pranosh rezultatin dhe të përgëzosh kundërshtarin. Unë do të doja të falënderoja të gjithë qytetarët e vendit që vendosën edhe një herë një standard të lartë në këtë proces zgjedhor, pa ndonjë incident dhe me dalje të lartë. Pas certifikimit të rezultateve është e rëndësishme konstituimi i Kuvendit të ri dhe zgjedhja sa më parë e Qeverisë së re”, shkruan Pacolli. /Mediafokus.info/