Padia kundër Serbisë për gjenocid, Palmer: Retorikë e nxehtë, Kurti dhe Vuçiq të kthehen në dialog

Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e negociatave dhe t’i zgjidhin çështjet e mbetura përmes bisedimeve, i tha Zërit të Amerikës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Matthew Palmer.

Lidhur me paralajmërimin e qeverisë së Kosovës se do të paraqesin padi kundër Serbisë për gjenocid, Palmer tha se “ka gjithmonë shumë retorikë të nxehtë” në Ballkanin Perëndimor dhe se “ky është një sfond i gjatë për dialog”, transmeton Gazeta Express.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të dialogojnë për të gjitha këto çështje.
“Është kuptuar mirë se cilat çështje duhet të zgjidhen përmes një procesi dialogu. Ky proces drejtohet mirë dhe me kompetencë nga Miroslav Lajçak, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Është e rëndësishme që të dy palët të kthehen në dialog, t’i diskutojnë çështjet në tryezë, t’i zgjidhin ato dhe të shkojnë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila, në mënyrë optimale, do të bazohej në njohjen reciproke”, theksoi Palmer