Pagat e ulëta në Kosovë nxisin migrimin e të rinjve
Shqipëria dhe Kosova i paguajnë më pak punonjësit e tyre se në çdo vend tjetër të Europës.
Sipas të dhënave të Eurostat, në fillim të vitit 2020, paga minimale bruto në Shqipëri ishte 213 euro.
Ndonëse paga minimale, është rritur disa herë, sërish mbetet më e ulëta në Europë, me përjashtim të Kosovës.
Niveli i ulët i saj është dhe një nga arsyet që deklarohet si shkak për tendencën e lartë për emigrim.
Të dhënat e Eurostat mungojnë për Kosovën, por sipas të dhënave zyrtare, paga minimale në Kosovë, është 130 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.
Paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011, kurse çmimet e konsumit kanë shënuar rritje.
Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale bruto është 282 euro, sipas Eurostat, në Mal të Zi – 331 euro. Paga më e lartë minimale në rajon është në Serbi – 343 euro.
Në përgjithësi, pagat minimale në rajon janë shumë më të ulëta në raport me vendet e Bashkimit Europian.
Si variojnë pagat minimale në Europë?
Deri në 1 janar 2020, 21 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë paga minimale kombëtare: vetëm Danimarka, Italia, Qipro, Austria, Finlanda dhe Suedia nuk kanë një minimum për pagën.
Sipas Eurostat, pagat minimale mujore në përgjithësi janë nën 600 € në lindje dhe mbi 1 500 € në veri-perëndim të BE-së.
21 shtetet anëtare të BE-së që kanë pagat minimale kombëtare mund të ndahen në tre grupe kryesore.
Bullgaria që ka pagën më të ulët bruto 312 € në të gjithë BE-në, Letonia – 430 €, Rumania – 466 €, Hungaria – 487 €, Kroacia – 546 €, Çekia – 575 €, Sllovakia – 580 €, Estonia – 584 €, Lituania – 607 € dhe Polonia – 611 €.
Në pesë shtete të tjera anëtare, pagat minimale shkojnë nga 700-1 000 € në muaj: Portugali – 741 €, Greqi – 758 €, Malta – 777 €, Sllovenia – 941 € dhe Spanja – 1 050 €.
Në shtatë shtete, pagat minimale janë mbi 1500 € në muaj: Franca -1 539 €, Gjermania -1 584 €, Belgjika -1 594 €, Hollanda -1 636 €, Irlanda -1 656 € dhe Luksemburgu -2 142 €.
Për krahasim, paga minimale federale në Shtetet e Bashkuara ishte 1 119 € në muaj në janar 2020.

