Rrezikon të bjerë pushteti i Shqipërim Arifit në Preshevë

Koalicioni qeverisës në Preshevë po kalon një krizë të thellë, sepse nuk po mundet t`i sigurojë numrat për mbajtjen e seancës.

Për portalin rtvpresheva.com në orët e mbrëmjes, nga Partia për Veprim Demokratik si dhe nga Partia Demokratike Shqiptare kanë thënë se kryetari i Kuvendit Komunal në Preshevë ka njoftuar se nesër nuk do të mbahet seanca e thirrur.

Zavendëskryetari i grupit të këshilltarëve nga Partia Demokratike Shqiptare, Shpat Aliu gjithashtu na konfirmoi se personalisht atë e ka kontaktuar Sami Salihu dhe se e ka informuar se nesër nuk mbahet seanca.

Me gjithë insistimin tonë që të marrim informatë më të detajuar nga Sami Salihu ky i fundit deri në këto momente nuk i është përgjigjur interesimit tonë.

Sidoqoftë, informata zyrtare është se nesër nuk do të mbahet seanca, e a do të provohet edhe një herë të mbahet seanca deri me datën 12.03.2020 kur edhe skadon afati ligjor, mbetet të shihet.

Ndryshe, partia e Arifit është në koalicion në Preshevë me SNS’in e presidentit serb Aleksander Vuçiq. Madje janë votat serbe që e ndihmuan Arifin për të mbetur deri me tani kryetar i Preshevës.