Pak biznese kanë aplikuar për falje të ndëshkimeve 

Vetëm 799 biznese kanë aplikuar për faljen e ndëshkimeve të borxhit në Administratën Tatimore të Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi-Sefa.

Sipas Bytyqi-Sefës pagesa e kryer nga tatimpaguesit kap vlerën prej 3.8 milionë euro, gjë që ndikon jashtëzakonisht në pasqyrat financiare të ATK-së.

“Deri më tani numër i tatimpaguesve të cilët kanë aplikuar për të i’u falur ndëshkimet është diku 799. Nga ky numër është paguar diku 10.5 milionë euro baza e tatimit dhe 1.2 milionë euro interesi, ndërsa ndëshkimi i falur sipas masës së paraparë është në vlerë prej 3.8 milionë euro. Ky vendim ka ndikim jashtëzakonisht të mirë në pasqyrat e institucionit tonë pasiqë na ndihmon që të kemi një ulje të stokut të borxhit, një pastrim të pasqyrave ku tatimpaguesit shihet që kanë obligime tatimore të pashlyera në ATK”, është shprehur ajo në një intervistë për EO.

Poashtu zëdhënësja e ATK-së, duke inkurajar pronarët e bizneseve për aplikim ka njoftuar se 30 qershori është afati i fundit për të përfituar nga kjo masë.

Bytyqi-Sefa ka njoftuar gjithashtu se kushti i vetëm i faljes së ndëshkimeve është kryerja e pagesës së tatimit bazë dhe interesit.

Kurse sipas saj, masa nuk selekton periudhë kohore kur tatimpaguesit janë bërë borxhlinj ndaj ATK-së dhe as nuk selekton llojin e bizneseve që kanë të drejtë aplikimi.

“Procesi si i tillë siç edhe është paraparë me vendimin e marrë nga Qeveria nuk është i vështirë pasiqë i vetmi kusht të cilin tatimpaguesit duhet ta plotësojnë është që të paguajnë bazën e tatimit dhe interesin. Ky vendim nuk selekton periudha tatimore ose të borxhit të krijuar, por është vendim që përfshin të gjitha periudhat, çfarëdo viti që tatimpaguesit i është krijuar borxhi. Kjo masë përfshinë të gjitha bizneset”, ka përfunduar ajo.